
Një kosovar 45-vjeçar ka dalur para Gjykatës Rajonale të Wiener Neutstadt-it të hënën, nën dyshimin se ka mashtruar shtetin austriak.
Gjykata i caktoi kosovarit masën e paraburgimit me kusht, derisa seancat e ardhshme pritet të mbahen përgjatë këtij muaji.
Mashtrimi i kosovarit ka të bëjë me përfitimin e ndihmave sociale – në nivelin e dytë të ndihmave – teksa ka qëndruar shumicën e kohës në Kosovë. Prokuroria pretendon se 45-vjeçari nuk i ka raportuar të gjitha udhëtimet e tij drejt Kosovës, kështu që ka arritur të përfitojë ndihmat sociale dhe të qëndrojë shumicën e kohës në Kosovës.
45-vjeçari kishte ardhur në Austri si emigrant lufte, teksa gruaja e tij ishte paraqitur si e traumatizuar nga lufta e Kosovës – për këtë fakt ata kishin përfituar më shumë ndihma sociale nga shteti. Ai dyshohet se ka marrë për 7 vite, nga viti 2010 deri më 2017, në mënyrë të paligjshme fonde sociale nga shteti austriak.
Me paratë e përfituara nga Austria, burri thuhet se ka ndërtuar një shtëpi në Kosovë, raporton mediumi austriak Heute.at.
Dëshmitarë të shumtë (fqinjët, nipi dhe vëllai) u thirrën për të dëshmuar të hënën në gjykatë. Nipi i tij nuk tha asnjë fjalë të mirë për xhaxhain e tij: “Ky është nga ata njerëz që nuk do donit t’i kishit miq”. Ndërkaq, akuza drejt të pandehurit pati edhe nga vëllai i vet: “Gruaja e tij nuk ka probleme mendore, nuk kaas trauma lufte siç pretendon ai dhe ajo.” /Insajderi.com