Me shumë përpëlitje, rikthehet nënkryetari i PDK-së në Kuvend

Me shumë përpëlitje, rikthehet nënkryetari i PDK-së në Kuvend

Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, do të jetë përsëri në Parlamentin e Kosovës. Ai ka fituar votat e nevojshme për t’u bërë deputet.

Hajredin Kuçi, dikur krahu i djathtë i Hashim Thaçit, ka arritur të bëhet deputet i Republikës së Kosovës.  Ka marrë 10 mijë e 609 vota.

Nënkryetari i PDK’së që ka mbajtur pozita të lartë dhe ka hartuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës është rikthyer në Parlamentin e Kosovës.

Profesori i rregullt në UP që ligjëron për të drejtën ndërkombëtare s’kishte pasur rezultatet të mira në zgjedhjet e fundit.

Ish-Zëvendëskryeministri as në këto zgjedhje s’ka bërë fushatë të madhe siç bëjnë kandidatët tjerë.

Ai ka mbajtur për një kohë edhe pozitën e Ministrit të Drejtësisë.

Nga viti 1992 deri në 1994, Kuçi ka qenë kryeredaktor në revistën studentore “Bota e Re”. Nga viti 1992 deri në 1996, ka qenë zëvendëskryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1996 deri në vitin 2004, ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me jashtë i Universitetit të Prishtinës.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, 2004, 2007 dhe 2010, është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Kosovës.

Këto të dhëna i ka siguruar Gazeta Express në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nga Qendra për Numërimin e Rezultateve.

PDK, për herë të parë prej pasluftës, doli e treta dhe ka vendosur të mbetet në opozitë. Ka qenë në pushtet prej vitit 2007, kur kishte fituar garën elektorale. Në dy mandate ka pasur pozitën e Kryeministrit ndërsa në dy mandatet e fundit ka qenë në pushtet por Shefi i Qeverisë ishte i partive tjera.

Kadri Veseli ka thënë se do të vazhdojë të mbetet në krye të PDK’së dhe s’ka dhënë asnjë shenjë se mund të largohet nga udhëheqja e Partisë.

PDK kishte përfunduar zgjedhjet partiake para zgjedhjeve derisa ende s’ka emëruar as Nënkryetarët dhe as Kryesinë. Vazhdon të funksionojë vetëm me Kryetarin në detyrë dhe Këshillin Drejtues.