fbpx

Me urdhër të njërit prej shefave të ‘Abi Çarshia’ bëhen për spital aktivistët e VV-së

Me urdhër të njërit prej shefave të ‘Abi Çarshia’ bëhen për spital aktivistët e VV-së

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rinor Kadriqeli, Rigon Kadriqeli, Muhamet Kadriqeli, Hysen Pllava dhe Mimoza Bushrani janë sulmuar fizikisht nga turma që ndodheshin në këtë objekt, me urdhër të njërit prej drejtuesëve të qendrës tregtare ‘Abi Çarshia’, Erman Fusha.

Sulmi ka ndodhur sot rreth orës 16:30 gjatë kohës së ekzekutimit të urdhërit për rrënimin e një pjese të objektit ‘Abi Çarshia.

Aktivistët e VV-së kanë përfunduar në spital si pasojë e lëndimeve që morrën nga ky sulm.

Sipas reagimit të Lëvizjes Vetëvendosjes aktivistët ndodheshin rastësisht aty për t’u furnizuar me gjësende shtëpiake.

“Sot rreth orës 16:30, gjatë kohës së ekzekutimit të urdhërit për rrënim të pjesës së objektit të paligjshëm të kompleksit “ABI Çarshia” nga Drejtoria e Inspektoriateve e Komunës së Prizrenit, janë sulmuar dhunshëm fizikisht aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Rinor Kadriqeli, Rigon Kadriqeli, Muhamet Kadriqeli, Hysen Pllava dhe Mimoza Bushrani të cilët ndodheshin rastësisht aty për t’u furnizuar me gjësende shtëpiake. Sulmi është bërë nga turma që ndodhej aty me urdhër të drejtuesve të Abi Çarshisë, më konkretisht nga personi i quajtur Erman Fusha. Si rezultat i këtij sulmi, aktivistët janë lënduar rëndë dhe kanë përfunduar në trajtim mjekësor në Spitalin Regjional të Prizrenit. Poashtu, gjatë këtij sulmi janë lënduar edhe tre policë të Kosovës”, thuhet në reagim.

LVV ka kërkuar nga organet e rendit që të marrin masa drejtë zbardhjes së rastit.

“Lëvizja Vetëvendosje në Prizren dënon ashpër aktet e dhunshme dhe sulmin ndaj aktivistëve dhe qytetarëve të pafajshëm, dhe kërkon nga organet e rendit që të marrin masa të menjëherëshme për ndëshkimin e personave të përfshirë në këtë sulm. Poashtu kërkojmë nga aktivistët tanë, për shkaqe sigurie, që të qëndrojnë larg këtij kompleksi deri në zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet tutje në reagim.