“Më vijke keq prej kryeministrit të Malit të Zi” – Haradinaj rrëfen situatën e sikletshme me Markoviqin

“Më vijke keq prej kryeministrit të Malit të Zi” – Haradinaj rrëfen situatën e sikletshme me Markoviqin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se “është zënë ngushtë” nga gazetarët të mërkurën në mëngjes, kur u pyet në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi në prani të kryeministrit malazez, Dushko Markoviq.

I pyetur nëse Çakorri është brenda Kosovës apo Malit të Zi, kryeministri nuk u përgjigj sot në mëngjes, kur u paraqit në një konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin malazez Dushko Markoviq.

Por, në një konferencë me përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, pasditën e së mërkurës, Haradinaj tha se në mëngjes zgjodhi të mos përgjigjej shkaku i pranisë së homologut të tij malazez.

“Nëse bën një përgjigje, se sot më pyetshin gazetarët se a është Çakorri në Kosovë apo është në Mal të Zi? Por në fakt nuk ekziston ashtu përgjigja, sepse kufiri është në Çakorr; i bjen që një pjesë është andej e një pjesë këndej. Edhe kufiri është në Kullë – që i bjen një pjesë në Mal të Zi e një pjesë në Kosovë”, deklaroi kryeministri.

Ai tha se në këtë mënyrë do ta vendoste në pozitë të sikletshme edhe kryeministrin Markoviq.

“Sepse këta më pyetshin në mëngjes e më zurën në pozitë të keqe, por më vijke keq me i bë këto elaborime në prani të kryeministrit [Markoviç, v.j] sepse ju qitsha edhe juve pak si të painformuar”, u shpreh Haradinaj. /Insajderi.com