Millan Radojiçiq ka arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak.
Siç raporton Kallxo.com, Radojiçiq ishte vendosur në listën e të kërkuarve para pak ditësh.
I njëjti, sipas raportimit të këtij mediumi, ishte duke udhëtuar nga Serbia për në Kosovë.
Millan Radojiçiq dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.
I njëjti ishte shpallur në kërkim lidhur me këtë rast, ndërsa pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.
Por, më vonë, Prokuroria Speciale sërish e kishte vendosur në listën e personave të kërkuar.
Kjo është hera e dytë që Radojiçiq arrin t’i arratiset Policisë së Kosovës.
Dy vite më parë ai ishte larguar nga banesa e tij pak minuta para se Njësitë Speciale të tentonin ta arrestonin./Insajderi.com