
Takimi i radhës mes presidentëve të Kosovës dhe atij të Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet pas 2 javësh. Kështu kanë konfirmuar nga kabineti i presidentit serb Vuçiq për të përditshmen serbe “Blic”.
Vazhdimi i dialogut në një periudhë kaq të shkurtër mund të nënkuptojë edhe praktikisht intensifikim të procesit, për të cilin foli edhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini pas takimit të së dielës në Bruksel, transmeton Koha.net.
“Serbinë e pret ende punë, ka shumë çështje të hapura në tavolinë. Përfaqësuesit e Evropës në mënyrë intensive do të vijnë në Beograd, por edhe delegacioni serb do të udhëtojë në Bruksel më shumë se deri më tani. Ajo që dihet sigurt pas takimit të së dielës është se gjërat do të zgjidhen me një marrëveshje të përbashkët, me miratimin e të gjitha palëve, pëlqimi i të cilëve është i nevojshëm”, thotë burimi i “Blicit”.
Në takimin e së dielës, Thaçi e Vuçiqi vazhduan bisedimet pas tre muajve pauzë.