Mediumi serb: Biden po bën presion të madh që Greqia të njohë Kosovën para fillimit të dialogut

Mediumi serb: Biden po bën presion të madh që Greqia të njohë Kosovën para fillimit të dialogut

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe administrate e tij po bëjnë presion të ashpër ndaj qeverisë së Greqisë për të njohur pavarësinë e Kosovës gjatë ditëve në vijim”.

Kështu raportohet në mediat serbe, ku thuhet se burimet diplomatike tregojnë që për SHBA-në është shumë e rëndësishme që Athina të njohë pavarësinë e Kosovës përpara vazhdimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel – që është planifikuar të rifillojë në mes të qershorit.

Sipas mediumit serb ‘Vesti-online’ ideja është që të “dobësohet” pozicioni i Serbisë me “njohje Greke” dhe të tregohet se “pavarësia e Kosovës” është një punë e mbaruar.

“Ne të gjithë e dimë se Greqia ka qenë në probleme të mëdha financiare për vite me rradhë, dhe pandemia e Coronavirusit ka çuar që Athina të kërcënohet përsëri me falimentim. Amerikanët e dinë mirë këtë dhe kjo është arsyeja pse ata i kushtëzojnë grekët me ndihmë financiare, investime, kredi të reja dhe riprogramimin e huave të vjetra. Ata po kërcënojnë se do ta fikin çezmën nëse nuk e njohin Kosovën, përpara vazhdimit të dialogut në Bruksel. Kjo është shumë e rëndësishme për ta, sepse në atë rast, pozicioni i Serbisë do të dobësohej ndjeshëm dhe amerikanët besojnë se kjo lëvizje greke do të ndiqet nga katër vendet e mbetura që nuk e njohin Kosovën – Spanja, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia”, raportohet të ketë thënë ky burim diplomatik.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së djeshme tha se kishte frikë që shumë shpejt do të ketë lloje të ndryshe të presionit politik sa i përket çështjes së Kosovës.

“Kam marrë disa njoftime aspak të këndshme në lidhje me Kosovën. Ekzistojnë lloje të ndryshme presioni rreth krahinës sonë. Por ne do të luftojmë deri në fund, dorëzimi nuk është kurrë një opsion për ne”, ka thënë Vuçiq. /Insajderi.com