Megjithatë, stadiumi do të ndërtohet në Bërnicë, jo në Drenas

Megjithatë, stadiumi do të ndërtohet në Bërnicë, jo në Drenas

Kadri Veseli e Ramiz Lladrovci po thonë se Stadiumi Olimpik i Kosovës do të ndërtohet në Drenas dhe jo në Bërnicë të Poshtme siç është planifikuar më parë. Por një gjë të tillë e mohon këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi.

“Stadiumi Olimpik ndërtohet aty ku ishte planifikuar. Pra në Bërnicë të Poshtme. Është gënjeshtër e kulluar ideja e zhvendosjes së tij në Drenas”, është shprehur Arifi, duke iu referuar deklaratave të fundit të dy zyrtarëve të PDK-së, Veselit dhe Lladrovcit.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve kohë më parë kishte përcaktuar lokacion Bërnicën e Poshtme, që ndodhet 4.5 km nga qendra e Prishtinës, në një hapësirë prej rreth 38 hektarësh për ndërtimin e një stadiumi Olimpik, shkruan Gazeta Express.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë pjesëmarrjes në konferencën e tetë të kryetarëve të Kuvendeve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Budapest, tha se Kosova  do të ndërtojë Stadiumin Olimpik në Drenas.

Derisa ditë më parë, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka vizituar ditë më parë vendin ku sipas tij do të ndërtohet stadiumi.

“Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga bashkëpunëtorë i ka prezantuar përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit zonën ekonomike përballë Parkut të Biznesit të shpronësuar nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit sa i përket këtij stadiumi.

Por, lidhur me këtë ndërrim lokacioni nuk di asgjë FFK-ja. Kështu bëri të ditur për Gazetën Express nënkryetari, Agim Ademi.

“Ne nuk dimë asgjë për këtë punë”, u përgjigj fillimisht Ademi për Express kur u pyet për ndërrimin e lokacionit.

“Vendi është caktuar kohë më parë nga Qeveria e mëparshme. Është nda edhe toka që tashmë është në pronësi të MKRS-së. Ka filluar edhe fizibiliteti ku kanë konkurruar nëntë kompani. Ata janë përgjegjës për këtë punë”, shtoi numri dy i FFK-së.