Mehaj deklarohet rreth planit për shërbimin ushtarak

Mehaj deklarohet rreth planit për shërbimin ushtarak

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deklaroi të mërkurën se do të punojnë në hartimin e një plani për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, mirëpo sipas tij, kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti, njofton Insajderi.

Ai në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica se cili është qëndrimi i tij lidhur me këtë çështje, tha se ka disa probleme me çështjen e buxhetit dhe duhet një plan më afatgjatë.

“Kur është çështja te detyrimi ushtarak, asnjë qytetar i Kosovës nuk ka qejf kjo mos me ndodhë, mos me marrë punën e papës apo hoxhës, ne do të punojnë në planin e detyrimit ushtarak, do ta shqyrtojmë, sa na përket buxheti, duhet me ja nis prej arsimit. Në Norvegji janë rreth 60 mijë brenda vitit 10 mijë i zgjedhin për me kryer detyrën për me mbrojtur shtetin. Një plan do ta kemi në të ardhmen, po na duhet kohë sa i përket detyrimin ushtarak”.

“Sa buxhet duhet me të vërtetë më shumë kohë, duhet një plan gjithëpërfshirës, edhe kazerma ushtarake, por në plan qeverisës është”, theksoi Mehaj.

Reçica e pyeti tutje ministrin për qëndrimin e tij lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme dhe atë se sa janë duke e ndihmuar shtetin në luftën me pandeminë pjesëtarët e FSK-së.

“Pa pas nevojë me shpallë gjendjen e jashtëzakonshme ju e keni ofruar mbështetjen? Se ka qenë këtu një situatë me gjendjen e jashtëzakonshme kujt i takon, a presidentit a kryeministrit”, pyeti deputeti Reçica.

Kësaj pyetje, Mehaj iu përgjigj se është një ekip që po punon ngushtë për ta ndihmuar QKUK-në për vaksinim./Insajderi.com