Mehaj kërkon nga BE-ja dhe NATO-ja vëmendje më të shtuar ndaj Kosovës

Mehaj kërkon nga BE-ja dhe NATO-ja vëmendje më të shtuar ndaj Kosovës

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar të shtunën se është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në tensionet Rusi-Kinë, ndaj ka kërkuar vëmendje të shtuar të NATO-s në Kosovë.

Në këtë mënyrë, sipas ministrisë, do të pamundësohej ndikimi dhe influenca e qarqeve destabilizuese ruso –serbe të mbështetura edhe nga qarqet kineze në rajon.

“Aktivitetet e luftës hibride, në rajonin tonë, Rusia përmes Serbisë, i realizon në vazhdimësi me luftën politike me metoda jokonvencionale destabilizuese të ndërthurura me aktivitete asimetrike siç janë sulmet kibernetike dhe ato përmes lajmeve të rreme (fake neës)”, thuhet në komunikatën për media.

“Prandaj, kërkojmë vëmendje të shtuar të autoriteteve politike dhe ushtarake të NATO-s përmes Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) në rajonin tonë, për të pamundësuar kështu ndikimin dhe influencën e qarqeve destabilizuese ruso –serbe të mbështetura edhe nga qarqet kineze në rajon”.

Zhvillimet e shpeshta në kufirin Kosovë – Serbi dhe provokimet nga ushtria serbe, ministria thotë se i vlerëson kërcënim shumë serioz.

“Dhe duhet të adresohen fuqishëm politikisht nga Bashkimi Evropian dhe me veprime e qëndrime konkrete nga NATO, respektivisht Komanda e Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) përmes operacionit KFOR në Kosovë”.

“Republika e Kosovës qëndron fuqishëm përkrahë NATO-s të udhëhequra nga SHBA, në interes të mbrojtjes së vlerave euroatlantike dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global”./Insajderi.com