Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar se po i koordinon aktivitetet me autoritetet e Kroacisë lidhur me përgjigjen ndaj aksidentit tragjik me autobus të ndodhur sot në Kroaci, ku humbën jetën 10 udhëtarë shqiptarë që po vinin për Kosovë, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Mehaj tha se ai ka pasur kontakte të vazhdueshme edhe me homologët e tij në vendet fqinje.
“Që nga mëngjesi, me përgjegjësinë më të lartë zyrtare, qytetare e kombëtare, me tërë kapacitetin tim, kam koordinuar të gjitha aktivitetet, në kontakt të pandërprerë, i cili vijon edhe më tej, me ministrin kroat të punëve të brendshme z. Bozinovic, homologun tim kroat, ministrin Banozic, shefin e forcave kroate, admiralin Hranj, ambasadorin tonë, z.Kasapolli,si dhe atasheun tonë, kolonel Hoxha”, shkruan Mehaj në Facebook.
“Gjithashtu në nivel të vendeve fqinje, kam kontaktuar në vazhdimësi me homologët e mi shqiptar, malazez dhe atë boshnjak”.
Mehaj po ashtu ka njoftuar që e ka autorizuar kolonel Hoxhën dhe një oficer të FSK-së që të jenë si ndërlidhës me qendrën opeative për të ofruar të gjitha kapacitetet e FSK-së në menaxhimin e tragjedisë.
“Për koordinim të brendshëm kam kontaktuar dhe jemi në vazhdimësi me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, kolegët ministra, komandantin e KFOR-it, gjeneral Federici, stafin tim ministror dhe të FSK-së”.
“Përveç angazhimit të pandërprerë të atasheut tonë të mbrojtjes në Kroaci, kolonel Hoxha, kam autorizuar edhe një oficer të FSK-së, si anëtar i Shtabit Emergjent Qeveritar, i cili do të jetë ndërlidhës me Qendrën tonë operative për të koordinuar ofrimin e të gjitha kapaciteteve tona në shërbim të menaxhimit të tragjedisë”.
“Duke bashkëndjerë thellë me familjarët që humbën më të dashurit e tyre dhe tanë si dhe të lënduarit, Ministria e Mbrojtjes me të gjitha kapacitetet e veta dhe të FSK-së, ju sigurojmë se do të jemi pranë tyre dhe me ta, si një trup i vetëm”.
Mehaj po ashtu e ka publikuar numrin dhe e-mailin përmes së cilave familjarët e udhëtarëve mund të marrin informata rreth gjendjes së këtyre të fundit.
“Numri i kontaktit për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre është: +383 (0) 38 200 76 000 ose email: [email protected]”. /Insajderi.com