Mehaj pret në takim Ramën, e falënderon për kontributin në FSK

Mehaj pret në takim Ramën, e falënderon për kontributin në FSK

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, këtë të mërkurë ka pritur në takim gjeneralin Rrahman Rama, një ditë pasi dha dorëheqje nga detyra e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pas takimit, Mehaj ka njoftuar se Ramën i ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim të lartë për kontributin në FSK.

Po ashtu, ka thënë se e ka falënderuar për bashkëpunimin gjatë periudhës tetë mujore të punës së përbashkët.

“Eksperienca e madhe profesionale dhe lidershipit ushtarak të Gjeneral Ramës do të jetë shumë e rëndësishme për diplomacinë tonë të mbrojtjes dhe sigurisë në detyrën e re në Qendrën për Bashkëpunim të Sigurisë- RACVIAC”.

Ndryshe, gjatë ditës së martë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Osmani mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Rama do të angazhohet në Qendrën Rajonale të Ndihmës për Verifikimin dhe Zbatimin e Kontrollit të Armëve (RACVIAC) me seli në Kroaci.

Por, çfarë është RACVIAC?

Organizata ka për qëllim nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në Evropën Juglindore.

RACVIAC është themeluar në vitin 2000 si Qendra Rajonale e Ndihmës për Verifikimin dhe Zbatimin e Kontrollit të Armëve me qëllim që të ofrojë trajnime për kontrollin e armëve, të promovojë masat e ndërtimit të besimit dhe sigurisë dhe të zgjerojë bashkëpunimin në Evropën Juglindore (EJL).

Në mbledhjen e mbajtur më 10 tetor të vitit 2014, Republika e Kosovës ishte ftuar të marrë pjesë në baza të përhershme, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta në të gjitha aktivitetet dhe takimet e RACVIAC & MAG, por me fusnotë (*)./SHQIP.com