Mehaj takohet me Escobarin, merr mbështetje nga ai

Mehaj takohet me Escobarin, merr mbështetje nga ai

Gjatë vizitës që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherazi të dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç njofton ministria, në këtë takim Mehaj e njoftoi Escobarin me vizionin dhe qëllimet e tij strategjike, si dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe “nga ai mori mbështetjen e plotë në realizimin e tyre”.

“Të dy u pajtuan se të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe vizioni për të ardhmen janë në funksion të plotë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën për media.

“Po ashtu, në këtë takim është ri-konfirmuar që partneriteti në mes të Kosovës dhe SHBA-së është çdoherë e më i fortë sepse bazohet në vlerat e përbashkëta të dy vendeve dhe u theksua nevoja për gjetjen e formave tjera për ta thelluar akoma më shumë bashkëpunimin në mes të dy vendeve”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Mehaj dhe Escobari diskutuan edhe sfidat aktuale dhe ato të ardhshme potenciale të mjedisit të sigurisë, si dhe format më efektive të menaxhimit të tyre me konstatimin e përbashkët se shumë e rëndësishme është siguria bashkëpunuese nga të gjithë.

“Në fund të këtij takimi, z. Escobar e falënderoi ministrin Mehaj dhe e përgëzoi Kosovën për mbështetjen e ofruar misionit të NATO-së në evakuimin e refugjatëve nga Afganistani si dhe e theksoi që FSK-ja ka shënuar arritje domethënëse me bashkë-zbarkim me ushtrinë e SHBA-së”./Insajderi.com