Meliza Haradinaj deklarohet e pafajshme para gjykatës

Meliza Haradinaj deklarohet e pafajshme para gjykatës

Ministrja së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, sërish është deklaruar e pafajshme para Gjykatës së Apelit, ku po gjykohet për mosraportim të pasurisë.

“E kuptova aktakuzën, nuk kam nevojë për sqarime shtesë, jam absolutisht e pafajshme”, tha ministrja Haradinaj-Stublla.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim në shkallë të parë, lëndën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, raporton Betimi për Drejtësi.

Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mospagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet 20 euro, për një ditë burgim.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Woolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar./Insajderi.com