Memli Krasniqi: I kërkova Albin Kurtit garantimin e sigurisë së Policëve

Memli Krasniqi: I kërkova Albin Kurtit garantimin e sigurisë së Policëve

“Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim”.

Kështu ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit që kishte me kryeministrin e Kosovës, Kurti – bashkë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Albin Kurti, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku.

Po ashtu, Krasniqi theksoi se ka kërkuar nga Kurti koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe KFOR-in.

“Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve”.

Gjatë së shtunës pranë pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak kanë qarkulluar helikopterët serbë.

Kjo situatë ka mbledhur në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të shtunën.

Po ashtu, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve është sulmuar me granata.

Në anën tjetër, në Beograd, ka deklarata nga zyrtarët e shtetit serb për “gatitshmëri ushtarake”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë ndaj kësaj gjuhe të Beogradit. /Insajderi.com