Memoriale vetëm për heronj – shteti nuk nderon viktimat civile

Memoriale vetëm për heronj – shteti nuk nderon viktimat civile

Kanë kaluar 18 vite që nga lufta e fundit dhe në Kosovë ende nuk ka ndonjë memorial që përkujton mbi 13 mijë personat e vrarë gjatë kësaj lufte.

E monumente dhe përmendore të tjera ka shumë. Disa të ngritura nga Qeveria e Kosovës, disa janë nën kujdesin e komunave, por shumë të tjera janë  të ngritura dhe ruajtura nga vetë familjet. Shumica janë të dëshmorëve, kështu duke ofruar shumë pak hapësira publike për grupet shoqërore tjera që në një mënyrë apo tjetër kanë qenë të përfshira në luftën e fundit në Kosovë.

Kur përgjithësisht mbizotërojnë memorialet e burrave, ushtarë apo të rënë, me emblema të UÇK-së, dy të vetme janë për përkujtimin e viktimave tjera të luftës, njëra për përkujtimin e të pagjeturve dhe tjetra – “Heroinat” – për gratë e dhunuara dhe kontribuuese, edhe u ndërtuan mjaft vonë, 16 vite pas luftës, edhe kritikohen, njëra për modelin dhe tjetra domethënien.

Përderisa ka edhe memoriale me gjuhë urrejtëse, pastaj jo gjithëpërfshirëse e gratë përmenden shumë pak, komunitetet pakicë edhe më pak, duke u lënë kështu nën hije.

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë ballafaqimi me të kaluarën ende nuk trajtohet me seriozitet nga Qeveria e Kosovës. Kësisoj, familjarët e viktimave dhe shoqëria kosovare vazhdon të përballet me mohimin e së drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.

Ligji për  të mbijetuarit/at e dhunës seksuale gjatë Luftës

Kanë kaluar gati dy vite që nga miratimi i ligjit për Viktimat e Dhunës gjatë Luftës, dhe ky ligj ende nuk ka filluar të implementohet.

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës ende nuk është formuar, përkundër që më 5 mars të vitit 2014 ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kishte formuar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

Jahjaga më herët gjatë këtij viti, në një intervistë për Insajderin, ishte shprehur se vazhdon të jetë e shqetësuar “se pse ligji [për viktimat e dhunës] nuk implementohet edhe një vit e gjysmë pas miratimit të tij”.

Në lidhje me këtë, zyra e informimit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në një përgjigje për Insajderin ka thënë se Komisioni Qeveritar është duke u konsoliduar për të filluar zbatimin e ligjit, përderisa kanë mbajtur edhe dy takime.

“Propozim Vendimi për caktimin e shumës se pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, është përcjellë në Zyrën e Kryeministrit për shqyrtim”, shkruan në përgjigje.

MPMS ka thënë edhe se është duke i zhvilluar procedurat e rekrutimit dhe trajnimit të personave të përfshirë në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, e kjo pason me aplikimin e viktimave.

Numri i viktimave nuk dihet sa do të jetë. Sipas një raporti të OKB-së, vetëm menjëherë pas luftës organizata CPËC kishte ndihmuar 1 mijë e 960 viktima të përdhunimit gjatë luftës, e prej tyre 29 gra të reja ishin ndihmuar të abortojnë shtatzënitë si rezultat i dhunës.

Ndërsa numri i saktë nuk është ditur asnjëherë por vetëm supozohet të jetë rreth 20 mijë, siç ishte përmendur në një konferencë në vitin 2012 me pjesëmarrës Atifete Jahjagën, Vlora Çitakun e Ferid Aganin.

Zbardhja e fatit të personave të pagjetur

Edhe pse kanë kaluar kaq vite pas luftës së fundit në Kosovë,  ende nuk është zbardhur fati i të pagjeturve. Deri pak vite më parë nuk kishte asgjë që i përkujtonte ata.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë për Insajderin se numri i personave të zhdukur është 1 mijë e 658. Ndërsa sipas tij po punohet në drejtim të gjetjes së tyre, por nuk po ka bashkëpunim të mjaftueshëm nga pala serbe.

“Në radhë të parë informatat relevante kryesore që priten prej palës serbe. Tani gati tri vite është bërë që është punuar në Kizhevak të Rashkës. Sipas informacioneve të palës serbe, ata mundoheshin me na bindë neve se aty është një varrezë masive, mirëpo ajo nuk ndodhi”, tha Gjetaj për Insajderin.

E në mungesë të një memoriali që përkujton gjithë të pagjeturit, familjarët më parë vendosnin fotografitë e familjarëve të tyre të humbur në luftë në rrethojat e Qeverisë së Kosovës. Duke dashur të bënin një zgjidhje në vend të vendosjes së fotografive, ishte vënë një gurthemel në vitin 2012, por që ishte finalizuar me një monitor, i cili shfaqte fotografinë dhe emrin e secilit person të zhdukur.

Shoqata “Thirrjet e Nënave” që një herë ishte pajtuar me këtë ide, më vonë kishin thënë se kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe adekuate pasi që sipas tyre nuk i përfaqëson të pagjeturit.

Monitori kishte mbetur si zgjidhje e përkohshme derisa në vitin 2015 u ndërtua një memorial  të cilit nuk iu vendos asnjë mbishkrim për të treguar se për çfarë është vendosur aty. Aq i padukshëm mbeti ky memorial saqë qytetarët as nuk e dinin se çfarë është apo për çfarë qëndron aty.

“Jo nuk e di nëse ka ndonjë memorial që i dedikohet personave të pagjetur”, kishte thënë një vajzë e cila qëndronte mu para memorialit për personat e pagjetur.

Për këtë arsye, organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut  – Kosovë (YIHR-KS) kishte vendosur një pllakë metalike, afër memorialit, e cila tregon se ky memorial i dedikohet personave të pagjetur në pesë gjuhë , ndër këto gjuhë për herë të parë edhe në gjuhën rome.

Gratë dhe roli i tyre, diskriminim e anashkalim

Kritika të shumta ka edhe për memorialin e vetëm për gratë, “Heroinat”. Kjo për shkak se jo vetëm se është përgjithësuar numri i grave të dhunuara, pa u ditur numri i saktë, duke vënë kështu 20 mijë medalione në si përbërëse të memorialit, por edhe i atribuohen dy gjërave krejt të ndryshme:

“Heroinat” i kushtohet kontributit të grave shqiptare dhe grave të dhunuara gjatë luftës.

Por, gjatë luftës, përveç grave shqiptare, ka pasur gra të komuniteteve tjera viktima, por edhe burra gjithashtu.

Vërehet edhe përfaqësimi jo i barabartë i grave edhe tek emërtimet e rrugëve.  Emërtimet janë një lloj përkujtimi për personat e rëndësishëm e që kanë dhënë kontribut, por kontributi i grave tërësisht vendoset në harresën e shoqërisë, ku  sipas organizatës YIHR-KS, e cila ka bërë numërimin dhe rishikimin e rrugëve, nga  455 rrugë vetëm 9 të tilla kanë emra grash.

Mungesa e gjithëpërfshirjes

Mungesë të gjithëpërfshirës përpos tek gratë ka edhe tek komunitetet e tjera, të cilat pak apo aspak nuk përmenden. As te numri i personave të vrarë nëpër libra të historisë që përdoren në shkollat e mesme të Kosovës nuk përmenden fare, duke lënë mbi 3 mijë nga komunitetet jo-shumicë të papërfshira.

Shteti nuk i përkujton fare, ndërsa nismat nga komunitetet, si nga ai serb, përdorin edhe gjuhë urrejtëse. Kjo tregon edhe mos kontrollimin dhe mosverifikimin se çfarë ndërtohet.

Pllaka e vendosur në Gracë të Vjetër që përkujton 14 serbët e vrarë, kishte në të një rresht ku përdorej gjuha jo adekuate: “Viktimat e terrorit shqiptar të korrikut 1999”, ku shqiptarëve u referohet me termin fyes ‘shiptarskog terora’.

Dëmtimi dhe mospërkujdesja nga ana e institucioneve

Përveç gjithë problemeve të lartpërmendura, janë edhe disa tjera të përgjithshme të cilat prekin gjithë memorialet tjera. Komplekset memoriale as nuk përfundohen, si ai i Adem Jasharit, e as nuk përkujdeset për to duke i lënë që të dëmtohen e vandalizohen.

Raste të tilla janë në vitin 2014 memoriali i Marinës në Skenderaj ishte mbyllur për shkak se ishte neglizhuar nga autoritetet. Ndërsa edhe shtatorja e Adem Jasharit është dëmtuar përderisa askush nuk merr përgjegjësi. Njëjtë ka ndodhur edhe me atë të Reçakut.

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka nën mbikëqyrjen e saj vetëm gjashtë memoriale: Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, Kompleksi Memorial Gllogjan, Kompleksi Memorial Marinë Skenderaj, Kompleksi Memorial Reçak, Kompleksi Memorial Zahir Pajaziti, dhe Ilaz Kodra.

Me këto institucionet qartazi tregojnë se sa neglizhente dhe të painteresuara janë ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me përkujtim dhe ballafaqim me të kaluarën. Përkundër që drejtësia tranzicionale, ku përfshihet edhe ballafaqimi me të kaluarën, është pjesë thelbësore e shtet-ndërtimit dhe demokratizimit.

(Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR- KS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim -ATRC).