20-vjeçari nga Prishtina, Denik Zeneli u sulmua fizikisht mëngjesin e së dielës nga menaxheri dhe kamarieri i restorantit “Sach Pizza” që ndodhet në rrugën “Luan Haradinaj”, përballë stacionit të Policisë së Kosovës në qendër të Prishtinës. Megjithatë, pas intervistimit, policia e ka të liruar të dyshuarin me urdhër të prokurit.
Sulmi që ndodhi rreth orës dymbëdhjetë e tridhjetë (00:30) të së dielës, dyshohet të ketë nisur për shkak të një mosmarrëveshje mes Denik Zenelit dhe kamarierëve e menaxherit të pikës së këtij restoranti të rrjetit “Sach Pizza”.
Në një intervistë për Insajderin, viktima Denik Zeneli rrëfen në tërësi ngjarjen. Thotë se si pasojë e sulmit ka pësuar thyerje të nofullës dhe se është operuar për këtë shkaq të mërkurën. Gjithashtu thotë se e ka identifikuar menaxherin nga i cili u sulmua.
“Ma së pari kemi shkuar në Sach Pizza me ngrënë bukë këtu në qendër përball stacionit të policisë dhe ma ka vonuar picën në ekstrem shumë; një picë të vogël. Pastaj i kam thënë ‘mos ma bir, nuk po më hahet’, kam dalë e kam dhezë një cigare dhe kur jam kthyer ma kishin pru picën”, ka rrëfyer Zeneli. “Mandej e kam ngrënë picën dhe e kam vizatuar një organ gjenital me keçap aty në picë”.
Organi gjenital, të cilin Zeneli e kishte vizatuar në pjatën e picës, kishte ngjallur reagimin e menaxherit të restorantit “Sach Pizza”.
“E kam bërë pagesën, kam dalë nga restoranti dhe njëri prej tyre i ka thënë një shoqes time për mua: ‘Ku është ai? Le të vjen le ta fus në gojë’, e unë pastaj kam shku lart me fol dhe me kërku falje. Kur kam hy brenda i thash ‘ça u bo?’, e ata më thanë ‘qysh ça u bo’, mirëpo unë i thash se nuk keni për çka me u ndje të prekur nga kjo”, tregon Deniku për Insajderin.
Pasi kishte dalur jashtë restorantit, Deniku thotë se është sulmuar nga menaxheri, i cili dyshohet të jetë Alban Berisha, si dhe nga një kamarier i restorantit e një person tjetër i panjohur.
“Pastaj kam dalë unë nga restoranti dhe si kam dalë unë jashtë ata janë bërë bashkë. Si dolëm jashtë ata më kërcënojshin, më thonin ‘ça po këqyrë?’; janë afruar të tretë dhe më kanë sulmuar shumë keq. Njëri ka qenë kamarieri, njëri menaxheri dhe njëri ka qenë me ata. Nuk e di se kush ishte”, ka thënë Zeneli.
Edhe pse ngjarja kishte ndodhur përpara Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë, Policia e Kosovës, me urdhër të prokurit i ka liruar të dyshuarit menjëherë pas intervistimit për sulmin ndaj 20-vjeçarit.
“Policia ka ardhur menjëherë në atë kohë. Kam shkuar, kam dhënë deklaratë dhe kanë dhënë deklaratë edhe shoqëruesit e mi. Ndërsa ata kanë qenë të burgosur por ishin liruar nga Policia, pasi nuk e kanë ditur që unë e kam nofullën e thyer”.
20-vjeçari thotë se sot është operuar për shkak të thyerjes së nofullës. “Unë sot e kam kryer operimin dhe mezi që po flas”, thotë Zeneli. “Kam probleme në nofull. Në dy anët e nofullës i kam të thyera dhe e kam mollëzën e qarë”.
Në pikën e restorantit “Sach Pizza” që ndodhet përball Stacionit Policor darkojnë zakonisht shumë zyrtarë policorë të këtij stacioni. Megjithatë, nuk dihet nëse të dyshuarit kanë pasur lidhje me ndonjë nga zyrtarët policorë. Por, ajo që dihet është se të dyshuarit për sulmin fizik ndaj Denik Zenelit janë të lirë.
Insajderi ka kontaktuar sot me zëdhënësën e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmetin, e cila ka thënë se deri nesër nuk mund të ofrojë informacion lidhur me këtë ngjarje. Ka sugjeruar Insajderin që të verifikojë raportet 24-orëshe të Policisë së Kosovës, për të marrë informata.
Megjithatë, as në raportin e Policisë së Kosovës të dërguar medieve mëngjesin e së hënës – një ditë pas sulmit fizik – nuk ndodhet asnjë informacion për ngjarjen.
E avokati i viktimës, Arianit Koci ka konfirmuar se të dyshuarit janë liruar. Ka thënë për Insajderin se ky sulm është i papranueshëm. Po ashtu, ai ka deklaruar se absurdi më i madh është se sulmi ka ndodhur përpara Stacionit Policor.
“Është e papranueshme që pasi që pasi që sulmohet një 20 vjeçar, dhe i shkaktohen lëndim i rëndë trupor, iu është thyer nofulla dhe mollëza, sulmuesit të mos paraburgosen. Që të jetë absurdi më i madh, sulmi ka ndodhur para stacionit të policisë, në qendër të Prishtinës”, u shpreh Koci.
Insajderi ka provuar të kontaktojë me pronarin e rrjetit të restoranteve “Sach Pizza”, megjithatë në numrin e telefonit të cilin firma e ka paraqitur në ARBK (Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë) nuk është lajmëruar askush. /Insajderi.com