Menaxhon energjinë e 1,800 objekteve në Zvicër- njihuni me shqiptarin e suksesshëm Bashkim Dyla (Video)

Menaxhon energjinë e 1,800 objekteve në Zvicër- njihuni me shqiptarin e suksesshëm Bashkim Dyla (Video)

Bashkim Dyla sot është inxhinier i energjisë shumë i respektuar në Bazel të Zvicrës. Ai ka ardhur me një rrëfim interesant për emisionin “Histori Suksesi” në RTV Dukagjinin, për punën që bën në shtetin Helvetik.

Bashkimi ka lindur dhe është rritur në Gjakovë. Aty ka marrë edhe bazën e arsimimit të tij. Studimet për inxhinieri i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës.

Fati ka dashur që ai me familje të emigrojë në Zvicër ku edhe ka vazhduar studimet post diplomike. Sot ai si profesionist i inxhinierit të energjisë është menaxher i 1,800 objekteve të ndryshme si shkolla, spitale, teatro etj.

Bashkimi sot është i certifikuar nga shteti i Zvicrës si ekspert për analiza të ndryshme të energjisë efiçente.

Inxhinieri shqiptar tregon se në Zvicër për të ndërtuar shtëpi, duhet të bëhet izolim i jashtëm i saj me materiale jo më pak se 20 cm trashësi.

“Poashtu nëse ndërton shtëpi një pjesë rrymës duhet të prodhohet vet. Po ashtu nuk guxon që shtëpia të jetë e ndërtuar me më tepër se 50 xham, për shkak se xhami konsumon energji më shumë se muret”, tregon ai, përcjell Telegrafi.

Dyla ndër të tjera në këtë emision ka treguar edhe për llojet e energjisë të cilat janë të lejuara për ngrohje në Zvicër. Ai përmend edhe drurin si masë e lejueshme për ngrohje pasi siç tregon “druri edhe nëse kalbet, liron sasi të njëjtë të dioksidit të karbonit sikurse që digjet”.

Inxhinieri thotë se në Kosovë të gjitha trendet botërore përcillen me përpikëri, si restorantet, makinat etj., por sipas tij “trendi më i rëndësishëm që është ndërtimi i banesave dhe izolimi i tyre nuk përcillet pothuajse aspak”.