Mendja e madhe, e zeza e kresë

Shkruan: Mirishahe Limani Hiler

Mendja e madhe, e zeza e kresë

Të ushqehesh nga patriotizmi folklorik i mbyllur tash e sa shekuj në sirtarët e muzeve historikë evropian, është hiç më pak se një shprehje e vonuar dhe tërësisht jashtë kontekstit të zhvillimeve të shekullit njëzetenjë.
Që në momentin kur hapësira për veprim është aq e largët në raport me dëshirën që më shumë i ngjanë një ëndrre, dashuria e shprehur me fjalët më të zgjedhura nuk manifeston tani për tani asgjë.

Kosovës nuk i duhen fjalët e mëdha! Zhvillimeve të fundit politike në vend i është dhënë qasje tmerrësisht e gabuar. E gabuar, sepse emocionet kanë zënë vendin e logjikës së shëndoshë. Si ka mundësi që rënia e qeverisë shtetërore e ndikuar nga faktorë të jashtëm, të duartrokitet nga faktorë të brendshëm?

Poqëse një udhëheqje e keqe shtetërore bie nga zëri i arsyes së popullit, nga veprimet e argumentuara të një opozite të fortë që manifeston pakënaqësitë, do të kishte vend edhe për satirë.

Ata që tani të ngazëllyer shfrytëzojnë fatkeqësinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare, janë realisht më të dobtit e hapësirës kombëtare. Pse? Sepse pretendojnë të kenë arritur realizimin e tyre e që në fakt është ekzistencë e paqëndrueshme në kohë mbase vendosmëria opozitare nuk ka arritur të argumentoj dhe të bindë.
Përshtypja më e hidhur që mund të dal nga e gjithë kjo eufori emocionesh është mungesa e një distance të arsyeshme. Nuk më rastisi të arsyetoj asnjë lider politik në Kosovë që ilustron pjekuri e kulture politike.

Të gjithë pothuajse nxituan të vihen në dukje sikur ndjeheshin të harruar në rrugëtimin e tyre politikbërës brenda kufijve kosovarë. Harruan për të njëmijtën herë se populli i Kosovës është lodhur nga karrieristët. Harruan se popullit nuk i duhen populistët e nacionalistët që krijojnë mure.

Liria e ngulfatur prej më se njëzet vite është fryt i mosgatishmërisë sonë që të dalim nga përshtatja në komforin që kemi, komfor që është vetëm rezultat i frikës nga mosnjohja e rrugës që të shpie në të nesërmen.