Zgjedhje në kohë pandemie

Menduh Thaçi: Mirë që po mbahen zgjedhjet – s’vazhdohet me qeveri teknike

Maqedonia po funksionon mes dy krizave paralelisht. Institucionale, shkaktuar nga politika. Dhe shëndetësore, shkaktuar nga pandemia. Me 15 korrik duan t’i japin fund njërës, duke rrezikuar eskalimin e tjetrës.

Menduh Thaçi: Mirë që po mbahen zgjedhjet – s’vazhdohet me qeveri teknike

Liderët politik të Maqedonisë së Veriut janë pajtuar që do të shkojnë në zgjedhje me 15 korrik, për t’i dhënë fund qeverisë teknike, përkundër faktit se ky shtet për momentin gjendet në pikun e pandemisë COVID-19, njofton Insajderi.

13 dhe 14 korriku do të jenë datat kur do të votojnë personat në vet-izolim, të sëmurët me COVID-19 dhe qytetarët që kanë sëmundje të tjera dhe nuk janë në gjendje t’iu drejtohen kutive të votimit.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka thënë se është më mirë që po mbahen zgjedhjet dhe po lëvizet nga bllokada.

Ai është shprehur se “Maqedonia është në ngërç të çuditshëm politik”, dhe prandaj, përkundër se në kohë pandemie, duhet të shkohet në zgjedhje në mënyrë që të prodhohen institucione funksionale.

“Është e qartë se luftën me virusin do ta kemi shumë të gjatë dhe për ketë arsye duhet ta vazhdojmë jetën dhe duhet t’i respektojmë masat. Maqedonia është në ngërç të çuditshëm politik dhe në kësi qeverisje si qeverisja teknike brenda e keni edhe miun edhe macen. Këto qeveri janë jo funksionale”, ka deklaruar Thaçi në emisionin Info Magazine.

“Secila parti lufton më tepër për reitingun e vet se sa për funksionalitetin e qeverisë”.

Ai është shprehur se beson shumë që masat do të respektohen dhe kriza me COVID nuk do të thellohet, sepse do të ketë shumë kamera që do të përcjellin ngjarjet dhe politikanët do të jenë të kujdesshëm që të mos shndërrohen ata në eskaluesit e situatës./Insajderi.com