Menduh Thaçi shpërthen ndaj politikanëve në Shqipëri: Hashim Thaçi doli i pastër

Menduh Thaçi shpërthen ndaj politikanëve në Shqipëri: Hashim Thaçi doli i pastër

“Kjo është gjëja më pozitive që i ka ndodhur Hashim Thaçit”. Kështu e ka cilësuar kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi, përballjen e Hashim Thaçit në Hagë, ndërsa ai dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për krime lufte, njofton Insajderi.

Gjatë një interviste në ABC, ai e cilësoi pozitive këtë që ka ndodhur, pasi kjo vërtetoi sipas tij, të kundërtën e akuzave për pazare në kurriz të Kosovës për Hashim Thaçin.

“Është një fatkeqësi e pritur. Ka disa vite që shumë faktorë armiqësore ndaj shqiptarëve por edhe disa shqiptarë ndoshta pa vetëdije kontribuonin që të vinin te kjo. Por kjo do të përballohet. Hashim nuk ka mundur ti ndodhë gjë më pozitive në karrierën tij se kjo aktakuzë. Ai ka qenë në sulm të topave të pandërprerë anti-kombëtarë. Akuza rezervë që iu vendosë në qafë Hashimit ishte se ai do të bëjë kompromise për Kosovën për të shpëtuar veten. Kjo vërtetoi pastërtinë e Hashimit dhe shokëve të tij. Kjo fatkeqësi nuk ka të bëjë me çështje individuale, por në disa vite ne do të jemi të ballafaquar me dy procese. Procesi i rrumbullakimit të pavarësisë dhe ai gjyqësor. Askush nuk mund të bindë që do të dëmtojnë njëri-tjetrin. Po mundohem të mos përdor fjali klishe”, u shpreh ai.

Më tej Menduh Thaçi nuk u kursye aspak me faktorë politikë në Shqipërisë, të cilët kanë hedhur akuza vazhdimisht ndaj ish-presidentit të Kosovës. Sipas tij një pjesë e tyre janë naivë, ndërsa të tjerë agjentë të paguar të shërbimeve sekrete.

“Akuza të çoroditura janë bërë ndaj Hashimit se do të ndaj Kosovën. Më shumë më kanë penguar akuzat që vinin nga Shqipëria. Më duken shumë simpatikë liderë të Shqipërisë kur përmendin mbiemrat e serbëve. Dua t’ju them se këtë punë ne që e kemi jetuar këtu e njohim shumë më mirë sesa një tentim bajat i spektrit politik të Shqipërisë. Ndodh që kemi shumë folklorizëm, ngadalë zbret bëhet dramë dhe ajo mund të kthehet në tragjedi.Mund të jetë naivitet dhe mosnjohuri. Por jam politikan i vjetër. Naivët ngado që janë harrojnë që shërbimi sekret serb është i fuqishëm. Me shpifjet e tyre fatkeqësisht disa shqiptarë me naivitet dhe të tjerë agjentë të paguar të këtyre shërbimeve na sollën këtu. Kjo është shumë e komplikuar për shkak se agjenturat nuk operojnë me metoda të shekullit 19. Me lloj dramatizimet të panevojshme të të qenurit shqiptarëve, katolikë e myslimanë. Asnjë prej agjenturave prej Moskës në Beograd që brenda luftës në Kosovë nuk ka pasur struktura të tilla. Prej këtij momenti duhet të jemi më të kujdesshëm. Lidershipi në Kosovë duhet tu thotë strukturave të caktuara na keni ndihmuar shumë. Ta lëmë pas nesh romantizmin dhe të fillojmë të gjithë bashkë të japim kontributin që Hashimi dhe shokët e tij të dalin faqebardhë”, tha Thaçi.

I pyetur nëse kjo që po ndodh është goditje për Kosovën, ai tha se një gjë është e sigurt se nuk është goditje individuale.

“Nuk është goditje individuale. nuk ka në ish Jugosllavi që të akuzohen funksionarë konkretë siç është zoti Thaçi. Të gjithë janë akuzuar pasi kanë humbur mbështetjen e popullit. Kjo nuk është individuale, por politike. Të plagos lidershipin kosovar në negociata e ardhshme me Serbinë”, tha ai. /Insajderi.com