MEPJ përgënjeshtron ambasadën ruse për rusët e arrestuar: Dërguam informacion kur na kërkuan

MEPJ përgënjeshtron ambasadën ruse për rusët e arrestuar: Dërguam informacion kur na kërkuan

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj pretendimit të ambasadës ruse lidhur me mosvënien në dijeni të kësaj të fundit për dy shtetasit rusë të kapur pranë uzinës së Gramshit.

MEPJ deklaron se të gjitha veprimet lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, sipas të cilës autoritetet e njoftojnë ambasadën vetëm nëse e kërkojnë të ndaluarit.

“Lidhur me pretendimet e ambasadës ruse në Tiranë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prej ditësh nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, z. Gazmend Turdiu deklaron me përgjegjësi se të gjitha veprimet e MEPJ lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Sipas ministrisë, nota verbale e ambasadës rusë ka mbërritur në 23 gusht pasdite dhe në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente.

“Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër për çështjen në fjalë.

“Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre”, thuhet në reagim./Insajderi.com