Mërgata rekomandojnë ndryshime për Projektligjin e Diasporës

Mërgata rekomandojnë ndryshime për Projektligjin e Diasporës

Organizata jo-qeveritare Germin ka organizuar diskutim virtual për Projektligjin e Diasporës me pjesëtarët e diasporës dhe përfaqësues nga Ministria e Diasporës në Kosovë, në kuadër të iniciativës “Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës”.

“Projektligji për Diasporën: Çfarë sjellë”, i cili u mbajt më 14 tetor 2017 nga ora 18:00, kishte si qëllim realizimin e një diskutimi të frytshëm, ku pjesëtarët e diasporës mund t’i kalonin komentet e tyre për një projektligj me gjithëpërfshirës dhe përmbajtësor.

Sipas Behar Ismës, ushtrues detyre në divizionin ligjor në Ministrinë e Diasporës, ishin tri arsye kyçe të nevojshme për ta ndryshuar ligjin aktual.

“Statusi i Qendrave Kulturore, Investimet nga Diaspora dhe ndarja e kompetencave, kanë ndikuar që të punojmë në hartimin e një ligji të ri për diasporën”, u shpreh ai.

Në anën tjetër paneli diskutues i cili përbëhej nga Brikena Muharremi (Avokate), HilmiGashi (Udhëheqës për migracion në sindikatën Unia) dhe MuhametIdrizi (Profesor i gjuhës gjermane dhe shkencës politike), kërkuan që të ngritet vetëdija tek pjesëtarët e diasporës për rëndësinë e këtij projektligji.

Sipas tyre, Projektligjit aktual për Diasporën duhet të qartësojë më shumë nenin 16 (Statusi i Pjesëtarit të Diasporës), sepse është i paqartë dhe lë hapësirë për keqkuptime. Po ashtu, u propozua që të përmirësohet gjuha në baza gjinore dhe të qartësohen disa përkufizime si p.sh: Qarkullimi i trurit.

Hilmi Gashi rekomandoi që të përfshihet një nen që mbron të drejtat ekonomike, juridike, të kthimit në vendlindje dhe mbrojtjen e interesave bilaterale p.sh sigurimet sociale. Kurse, MuhametIdrizipropozi që të vendosen kuota për studentët nga diaspora për bursat e shkollimit dhe praktikës. Sipas tij, në projektligj duhet të përfshihet edhe përkthimi i kurikulës nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Paneli diskutues rekomandoi po ashtu ndryshime për Qendrat Kulturore në Diasporës, që të quhen “Qendra/Shtëpia e Diasporës”, sepse përqendrimi vetëm në kulturë e limiton rolin e këtyre qendrave.

Organizata Germin propozoi që në ligjin e ri për Diasporën duhet të përfshihet edhe Filantropia Shqiptare.

Projektligji për Diasporën është iniciuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Startegjike dhe parashikon obligimet që ka Kosova ndaj Diasporës.