Mërgim Lushtaku: Lajm fantastik kalimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në komisionin parlamentar

Mërgim Lushtaku: Lajm fantastik kalimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në komisionin parlamentar

Gjatë ditës së djeshme (të martën), ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike në Komisionin për Buxhet dhe Transfere të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në lidhje me këtë, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, njofton Insajderi.

“Lajm fantastik, kalimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në Komisionin për Buxhet dhe Transfere”, ishin fjalët e Lushtakut në reagimin tij në Facebook.

Më tutje, Lushtaku në status përmend edhe kërkesat e PDK-së të propozuara si amanadamente, ku pos tjerash janë edhe “pako prej 200 milionë eurove për bizneset, mbështetje prej 300 eurove për tre muaj për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë, rimbursimi i 10% të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional i Kosovës, për të gjithë ata që kanë deri në 9.999.00 euro, lirimi nga TVSh-ja për lëndën e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore, pavarësisht a eksportohen jashtë vendit a jo”.

Gjithashtu, Lushtaku i vë faj Qeverisë që kaq shumë muaj iu deshën që të reflektojnë mbi kërkesat e PDK-së, pasi sipas tij, këto kërkesa i kanë dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve.

Në fund, Lushtaku pohon se pa Partinë Demokratike të Kosovës, “asnjë proces nuk ec përpara dhe se PDK-ja është partia e vetme racionale në Kosovë”. /Insajderi.com