Një karrierë më e mirë në aspektin personal dhe mundësia e përfaqësimit të Gjermanisë e tërhiqte shumë Mërgim Mavrajn në fillimet e karrierës së tij. Tashmë futbollist i kombëtares shqiptare, mbrojtësi më parë kishte refuzuar tre herë radhazi kuqezinjtë në tri periudha të ndryshme.
Tani gjithçka është harruar, ai ka kërkuar falje publike – është penduar, dhe është një prej futbollistëve kyç të kombëtares shqiptare.
Momenti më i vështirë për të marrë një vendim, në karrierën e Mërgim Mavrajt ishte ai i zgjedhjes së kombëtares që do përfaqësonte. Ishte viti 2007, kur Mërgim Mavraj – një shqiptar nga Istogu i lindur në Hanau të Gjermanisë, luante me skuadrën e Darmstadt-it në Bundesliga II kishte rënë në sy të trajnerit të kuqezinjve asokohe, kroatit Otto Bariç.
Bariç e kishte ftuar zyrtarisht Mërgimin të luante me kombëtaren shqiptare por mbrojtësi kishte refuzuar pa u menduar dy herë. Ai shpresonte të luante me Gjermaninë dhe se mendonte fare përfaqësimin e Shqipërisë.
Megjithatë, zhurma më e madhe rreth mbrojtësit me origjinë nga Istogu u bë në vitin 2010, atëherë kur situata e tij u kthye në një dramë interesi në të cilën futbollisti kërkonte të përfitonte më të mirën në anën personale të karrierë së tij.
I ftuar nga trajneri i Shqipërisë asokohe, Josip Kuzhe, mbrojtësi që luante me Bochumin në Bundesligën e parë gjermane konfirmoi vendimin e tij për t’iu bashkuar kombëtares shqiptare në miqësoren që Shqipëria e zhvillonte në përfundim të sezonit 2009/10, më 5 mars ndaj Irlandës Veriore.
“Kam biseduar me Kuzhen, ai ka shprehur dëshirën qe unë te luaj për kombëtaren dhe unë i kam treguar se jam i gatshëm për ketë. Ai me ka ftuar qe te jem i grumbulluar ne miqësoren me Irlandën e Veriut”, kishte thënë Mavraj më 12 shkurt të vitit 2010 për Top-Channel.
Momenti i kthesës dhe marrjes së epitetit “tradhtar”, ishte një telefonatë e menaxherit të kombëtares gjermane, Mathias Sammer, vetëm pak ditë pasi ai vendosi të luante me Shqipërinë. Ai i kishte premtuar Mërgimit se do ta merrnin në konsideratë dhe i kishte dhënë shpresë për një të ardhme në përfaqësuesen gjermane.
“Nuk do të vijë për të përfaqësuar Shqipërinë. Mathias Sammer, drejtori teknik i Federatës Gjermane (DFB), telefonoi në klubin tim për të më thënë që të pres deri në përfundim të Botërorit 2010. Pas këtij aktiviteti unë do të përfshihem në planet e Kombëtares gjermane”, ishin fjalët që zyrtarët e FSHF-së dëgjuan nga Mërgim Mavraj.
E në ndeshjen e zhvilluar më 5 mars në “Qemal Stafa” në të cilën mbrojtësi i Koln-it nuk erdhi, tifozët zyrtar të Shqipërisë “Tifozat Kuq e Zi” me anë të një banderole të madhe e cilësuan atë si “Tradhtar”.
Mirëpo afrimi i trajnerit Italian, Gianni De Biasi, në krye të kombëtares shqiptare solli shumë ndryshime në një kohë tranzicioni në të cilën po kalonte kombëtarja.
Emrat e parë që ai ftoi në kombëtare ishin Alban Meha e Edgar Çani në mars të vitit 2012, ndërsa vetëm disa muaj më vonë, në qershor të atij viti De Biasi arriti ta bindte edhe mbrojtësin e shumëdëshiruar Mërgim Mavraj.
Mbojtësi i Kolnit debutoi në një ndeshje miqësore ndaj Iranit, menjëherë pas ndeshjes së fituar 1-0 nga kombëtarja shqiptare, mbrojtësi këndoi bashkë me tifozët kuqezi këngën e njohur “O sa mirë me qenë shqiptar”, madje publikisht ai kërkoi falje për refuzimin që i bëri tre herë më parë Shqipërisë.
Që nga ajo kohë ai ka luajtur 27 ndeshje me Shqipërinë krahas kapitenit legjendar të Shqipërisë, Lorik Cana, duke krijuar një tandem shpeshherë të pathyeshëm nga kundërshtarët. Ai ka shënuar po ashtu edhe tre gola me kuqezinjtë.
Tanimë, ish-mbrojtësi i Greuther Furthit është njëri nga futbollistët kryesor të kombëtares dhe nga më të dashurit e tifozerisë kuqezi. Mvaraj nuk konsiderohet më një “tradhtar”, ai është heroi i shqiptarëve që së bashku me skuadrën kombëtare bëri një komb të besojë se ëndrrat realizohen.
Ai ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar, duke qenë pjesë e gjeneratës së parë që e kualifikoi kombëtaren shqiptare në një ngjarje të madhe sportive, siç është “Euro 2016” në Francë. /Insajderi.com