Kufiri Slloveni-Kroaci e më pas edhe Serbi-Kosovë, janë dy pikat kufitare në të cilat mijëra qytetarë po presin me orë të tëra për të kaluar tutje, transmeton Insajderi.
Shumë kosovarë që jetojnë në Evropë kanë mësyrë vendlindjen për festat e fundvitit, mirëpo nisja e tyre drejt Kosovës ka shkaktuar kolona të gjata nëpër kufijtë e shteteve që i përshkojnë gjatë rrugës.
Të premten, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njoftoi se në kufirin Slloveni-Kroaci qytetarët po presin deri në dhjetë orë, ndërsa në kufirin Kroaci-Serbi po duhet të presin edhe pesë orë të tjera, për shkak të fluksit edhe nga kroatët që po kthehen nga Evropa drejt Kroacisë.
“Associated Press” ka folur me qytetarë të cilët ishin ngujuar duke pritur me orë të tëra, e ndër ta ishte edhe Naser Malili që udhëtonte nga Zvicra drejt Kosovës. Ai ka thënë se e ka kaluar këtë rrugë për 30 vjet dhe kurrë s’ka pasur telashe si tash, madje ai është ankuar se atje nuk ka as tualete.
“Ka dhjetë orë që po presim. S’është normale. Nuk më ka ndodhur kurrë më herët. Kam udhëtuar nëpër këtë rrugë qe 30 vjet dhe s’kam parë kurrë diçka të tillë. Dhjetë orë? Jam me fëmijët këtu, me familjen, të gjithë janë me familje. S’ka as tualete. Nuk po e kuptoj çfarë po bëjnë këtu në kufirin kroat”, ka deklaruar ai.
Pos qytetarëve që kanë mësyrë vendin në rrugët tokësore, të shtunën afro 10 mijë qytetarë janë futur në vend nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës. /Insajderi.com