Merkel refuzon ta jap një datë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian

Merkel refuzon ta jap një datë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka refuzuar të jap një datë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ajo deklaroi se nuk beson në caktimin e datave, por në përmbushjen e premtimeve të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet”, u tha Merkel gazetarëve pas samitit të BE -së për Ballkanin në Slloveni, raporton Reuters, transmeton Insajderi.com.

Samiti BRDO i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Merkel, po ashtu të mërkurën takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Për atë takim Kurti ka treguar që kanë folur edhe për lëvizjen e lirë.

“Në një bisedë me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron & Presidentin e Serbisë, ne folëm për Procesin e Berlinit; lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave”, ka theksuar Kurti.

“Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha vendet e BB6 trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit përfundimtarë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian siç tha ai, pa i zgjidhur problemet me Kosovën.

Këtë deklaratë e bëri në Slloveni, ku këtë të mërkurën po mbahet Samiti i udhëheqësve të Bashkimit Evropian me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Insajderi.com