Merkel të martën paradite në Tiranë

Merkel të martën paradite në Tiranë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të mbërrijë në Tiranë gjatë paradites të së martës, në kuadër të vizitës së saj lamtumirëse në Ballkan, e cila lidhet me Procesin e Berlinit, transmeton Insajderi.com.

Ajo do të pritet me një ceremoni në pallatin e Brigadave në orën 10:20, për të vazhduar më tej me takimin që do ta zhvillojë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në orën 11:00 takohet delegacionet e dy vendeve në Pallatin e Kongreseve dhe më pas agjenda do të zhvendoset në Tirana Business Park në zonën e Rinasit, ku të pranishëm do të jenë edhe krerët e qeverive të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.

Atje Merkel dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp rreth orës 14:35, raporton ‘ABC’.

Merkel do të jetë në postin e kancelares deri në fund të muajit shtator pas tre mandatesh radhazi në këtë post.

Procesi i Berlinit u iniciua nga Gjermania në vitin 2014 për të përmirësuar marrëdhëniet brenda rajonit të Ballkanit dhe për të përshpejtuar integrimin në BE të atyre shteteve që nuk janë ende anëtare si: Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. /Insajderi.com