Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, pritet të arrijë gjatë paradites së sotme në Tiranë, në kuadër të vizitës së saj në Ballkan lidhur me Procesin e Berlinit, njofton Shqip.com.
Merkel do të pritet me ceremoni në Pallatin e Brigadave në orën 10:20 ndërkohë që do të pasojë një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në orën 11:00 do të takohen delegacionet e dy vendeve, e më pas do të ketë takime me krerë të Ballkanit, përfshirë edhe të Kosovës, kryeministrin Albin Kurti.
Merkel e Rama do të mbajnë konferencë të përbashkët për media rreth orës 14:35.
Agjenda e plotë:
10:20 – Ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave
10:30 – Takim mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave
11:00 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave
11:50 – Mbërritja e kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park
11:55 – Mbërritja e kancelares Merkel në Tirana Business Park
12:00 – Foto familjare me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park
14:35 – Konferencë për shtyp mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel në Tirana Business
Procesi i Berlinit sjell për herë të parë në Tiranë kancelaren gjermane Angela Merkel në ditët e fundit të detyrës së saj në këtë post. Merkel do të jetë në postin e kancelares deri në fund të muajit shtator pas tre mandatesh radhazi në këtë post.
Procesi i Berlinit u iniciua nga Gjermania në vitin 2014 për të përmirësuar marrëdhëniet brenda rajonit të Ballkanit dhe për të përshpejtuar integrimin në BE të atyre shteteve që nuk janë ende anëtare. Fokusi është në ato vende të Ballkanit që ende nuk janë anëtarë të BE-së – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. /Insajderi.com