Merr telefonatë kërcënuese për sulm në spital, Policia “blindon” të gjitha spitalet

Merr telefonatë kërcënuese për sulm në spital, Policia “blindon” të gjitha spitalet

Policia e Kosovës ka njoftuar se është kontaktuar nga një person, i cili ka kërcënuar se do të sulmonte dikë në spital.

Me të marrë këtë telefonatë nga ky person i paidentifikuar që poashtu nuk tregoi se në cilin qytet, pretendoi për këtë sulm, Policia është mobilizuar për sigurinë e spitaleve në të gjithë Kosovën për arsye parandaluese.

Fillimisht ishte zëdhënësi i PK-së për rajonin e Veriut, Besim Hoti, i cili njoftoi për rastin, duke thënë se që nga mëngjesi, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndaluar automjetet që hyjnë në zonën ku ndodhet Qendra Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut dhe po i kontrollojnë të gjitha veturat.

I kontaktuar nga Gazeta Online Insajderi, Hoti tha se për këtë është raportuar në nivel qendror në Prishtinë.

“Është raportuar në nivel qendror në Prishtinë, për arsye parandaluese, policia po siguron spitalet në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm në Veri”, ka thënë ai.

Insajderi ka kontaktuar edhe zëdhënësin Baki Kelani, për të marrë informacione më të hollësishme. Ai ka thënë se PK me kohë ka ndërmarrë masat parandaluese dhe të sigurisë, pas një informacioni që ndërlidhet me kanosje.

Ai shton se pas ndërmarrjes së të gjitha masave policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe trajton ç’do informacion apo rast të raportuar, të çfarëdo natyre apo vepre penale. Të gjitha veprimet e nevojshme i ndërmerr konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të veprimtarive kriminale si dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në vend”, ka thënë Kelani.

“Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarrë masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje, përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve”, ka shtuar ai. /Insajderi.com