Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka marrë vendim që në të gjitha kazermat e FSK-së të ngritët flamuri amerikan, shkruan Insajderi.
Mehaj ka thënë se këtë vendim e ka marrë për të nderuar të gjithë burrat e gratë e kombit amerikan, të cilët me sakrificë të madhe dhe vendimin e tyre historik ndryshuan fatin, jo vetëm të kombit amerikan, por edhe të gjithë popujve tjerë liridashës në Botë.
“Si Ministër i Mbrojtjes dhe si qytetarë i Republikës së Kosovës, uroj nga zemra të gjithë burrat e gratë e vendit mik, SHBA-së, me të cilët bashkë, si një trup i vetëm, po rrugëtojmë në zhvillimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.
Ai më tej, ka uruar të gjithë, ushtarakët e Forcave Amerikane për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë dhe anekënd Botës.
“Një urim të veçantë edhe për të gjithë vëllezërit amerikan në armë me të cilët shërbyem së bashku në operacionet e përbashkëta”, ka shkruar ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë.
4 Korriku shënon 245-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Insajderi.com