Data 11 qershor do të krijojë dilema për mbi 15 mijë tifozë të cilët do të duhej të përcaktoheshin nëse do të ngjiten shkallëve të stadiumit në Shkodër, apo do t’i drejtohet kutive të votimit.
Caktimi i datës, 11 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, e përcaktuar nga presidenti Hashim Thaçi, mund t’i humb mbi 15 mijë vota.
Krejt kjo për shkak se më 11 qershor Kosova dhe Turqia zhvillojnë ndeshje futbolli. Marrë parasysh praktikat e mëhershme, janë diku 15 mijë bileta që rezervoheshin për ndeshje të tilla ku Kosova zhvillonte ndeshje në Shqipëri me kundërshtarë të ndryshëm.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë do të jetë e vlefshme për kualifikimet e Botërorit “Rusi 2018”.
Numri i votuesve që do të mungojnë në zgjedhje mund të rritet edhe më shumë. Kjo për shkakun se në Kosovë jetojnë edhe komuniteti turk, të cilët mund të udhëtojnë për ta mbështetur kombëtaren e Turqisë kundër Kosovës.
Pos takimit Kosovë-Turqi, edhe kombëtarja shqiptare do të zhvillojë në të njëjtën ditë një ndeshje vendimtare për fatin e saj.
Izraeli dhe Shqipëria do të jetë takimi vendimtar për kuqezinjtë nëse do të kenë ende shpresa për një vend në Botërorin “Rusi 2018”. Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet më 11 qershor.
Marrë parasysh se në Kosovë ka shumë tifozë të kombëtares së Shqipërisë, kjo mund ta rrisë edhe më shumë numrin e atyre që do të mungojnë në zgjedhje, të cilët mund të udhëtojnë për në Izrael për ta parë ndeshjen.
Dita e zgjedhjeve është caktuar nga presidenti, edhe pas konsultimeve me partitë politike. Shumica prej tyre kanë propozuar që ato të mbahen më 11 qershor./Insajderi.com