Mesazhi i deputetes për gjyqtaren e vrarë: Të vranë pabesisht kushërira ime trime

Mesazhi i deputetes për gjyqtaren e vrarë: Të vranë pabesisht kushërira ime trime

Për vrasjen e gjyqtares  të shumta kanë qenë reagimet nga skena politike dhe juridike, por deri më tani asnjë i saj nuk kishte folur.

Por në një reagim të deputetes në detyrë të LIBRA-s Mimoza Hafizi, mësohet se politikania e ka patur kushërirë gjyqtaren, vdekja e së cilës tronditi Tiranën.

Mimoza Hafizi ka publikuar një mesazh për të në rrjetin social, duke e cilësuar si një vrasje e pabesë.

Një grua e rrallë që e donte jetën, respektonte dijen dhe përbuzte injorancën. Kjo është korniza që jep deputetja shqiptare për kushërirën e saj, gjyqtaren Fildes Hafizi.

Për më tepër lexoni mesazhin e Mimoza Hafizit:

“Fildes Hafizin e vranë sot pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thurri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht.

Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur.

Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se iu duhet, që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit.

Lamtumirë kushërira ime trime”, shkruan Hafizi.