Mesazhi i Prokurorisë së Shtetit për mbrojtjen e votës

Mesazhi i Prokurorisë së Shtetit për mbrojtjen e votës

Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës lidhur me procesin zgjedhor për balotazh, që është duke u mbajtur sot, në 19 komunat e Republikës së Kosovës.

“Në bazë të kompetencave ligjore, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, ka caktuar një koordinator në nivel të shtetit dhe një zëvendës koordinator, si dhe shtatë koordinatorë për rajonet e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

“Prokurori i Shtetit, që nga ora shtatë e mëngjesit e ditës së sotme në nëntëmbëdhjetë komunat e Republikës së Kosovës, ka angazhuar 55 prokurorë, të cilët do të përcjellin për së afërmi situatën gjatë procesit zgjedhor dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë aty ku do të paraqiten pengesat në procesin zgjedhor”, thuhet më tej aty.

Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile të Republikës së Kosovës, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria.