
Deklarimeve të kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj se disa mësimdhënës po llastohen në televizione gjatë mësime online, u ka reaguar mësimdhënësi nga Prishtina, Mentor Hajrizi.
Ai përmes rrjetit social Facebook ka deklaruar se para se të flasë Jasharaj për të e mësimdhënës të tjerë, duhet lexuar biografinë e të kaluarën e tij akademike, transmeton Insajderi.
“Njeriu medoemos duhet ta lexojë paraprakisht biografinë e tjetrit dhe jo të bëhet xuq e me huqe. Është e lehtë të flasësh kur ke çfarë të thuash, thekson Eliot, por është e vështirë të kesh çfarë të thuash kur duhet të flasësh. Ke folur, mbroje dhe pranoje! Ke heshtur, vazhdo të heshtësh! Në rast të kundërt, dikur më i madh do të jetë zarari se qari”, ka shkruar Hajrizi.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit po llastohen e po shpifin kundër sindikatës në lidhje me xhirimet e mësimit online.
“Ftojmë ndonjë koleg që të mos llastohet pse po del në TV e të dëgjojë rrena kundër SBASHK-ut dhe pastaj të komentojë ato rrena e të ofendojë dikë nga stafi i sindikatës sonë. Ne kemi bërë kritika të arsyeshme për xhirimet fillestare, por SBASHK-u u ka mbrojtur juve mësimdhënës të nderuar dhe ka ngritur vërejtje në anën teknike të xhirimeve dhe këto lëshime janë përmirësuar. SBASHK-u mori pjesë edhe në takimin nga larg organizuar nga Internacionalja e Arsimit dhe në komunikim nga larg me përfa qësues të gjithë sindikatave të arsimit nga e tërë bota pasqyroi në mënyrën më reale gjendjen aktuale në arsimin tonë dhe lavdëroi me arsye përkushtimin e punëtorëve të arsimit në Kosovë, në shërbim të rrjedhës së mbarë të mësimit nga larg”, thuhet ndër të tjera në reagimin e SBAShK-ut.