Mësimdhënësit në Kosovë, veçanërisht ata që kanë probleme shëndetësore, do të vaksinohen kundër Coronavirusit, pas arritjes së kontigjentit të dytë të vaksinave, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, pas takimit që ministrja Arbërie Nagavci, ka zhvilluar me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës.
Gjatë këtij takimi, ministria ka njoftuar se është biseduar edhe për gjendjen aktuale në arsim dhe procesin mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, si dhe vështirësitë e ndryshme me të cilat ballafaqohen mësimdhënësit në këtë periudhë.
Ministrja falënderoi të gjithë anëtarët e SBAShK-ut, mësimdhënësit, dhe stafin tjetër për punën e bërë dhe bashkëpunimin me MAShTI-n dhe institucionet tjera për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.
“Ministrja Nagavci tha se kthimi në shkolla është synim i Ministrisë duke uruar që kjo gjendje të përfundojë sa më shpejtë dhe të kthehen të gjithë nxënësit në shkolla.
Ajo shtoi se aktualisht Ministria e Arsimit është në një fazë të punës intensive për organizimin e vlerësimeve të jashtme kombëtare dhe ndërkombëtare të nxënësve dhe të gjitha aktiviteteve tjera për ta përmbyllur këtë vit të vështirë në arsim. Ministrja ka përmendur edhe rëndësinë e mbajtjes së mësimit plotësues për çka tha se do të kërkojë nga komunat që ta bëjnë një plan për realizimin e këtij procesi”, thuhet ndër të tjera në komunikatë./Insajderi.com