Mësimdhënësit në Skenderaj punësohen pa konkurs dhe me vlerësim më të ulët

Mësimdhënësit në Skenderaj punësohen pa konkurs dhe me vlerësim më të ulët

Komuna e Skenderajt ka punësuar një mësimdhënës të gjuhës angleze në shkollën Krasaliq pa shpallur konkurs fare për atë pozitë, shkruan Insajderi.

Kandidati kishte aplikuar për pozitën e njëjtë në shkollën në Polac, por ai vendin e punës e gjeti në një shkollë krejt tjetër.

Raporti i Auditimit ka evidentuar këtë shkelje në procesin e rekrutimit në Komunën e Skenderajt si dhe dy shkelje të tjera në lidhje me rekrutimin e mësimdhënësve.

“Për pozitën ‘Mësimdhënës të gjuhës angleze në shkollën në Krasaliq’, rezultojë se nuk kishte pasur konkurs për atë pozitë. Kandidati ishte përzgjedhur nga konkursi i mbajtur për pozitën e njëjtë në shkollën Polac”, thuhet në Raportin e Auditimit.

Po ashtu Komuna e Skenderajt gjatë vitit 2017 kishte punësuar edhe një mësim dhënës klasor për zëvendësim i cili sipas raportit thuhet se nuk ishte mbajtur fare raporti me shkrim.

“Në konkursin ‘Mësimdhënës për mësim klasor/zëvendësim’ vërejtëm se nuk ishin ndjekur procedurat e mbajtjes së testit me shkrim. Përzgjedhja e kandidatit ishte bërë vetëm në bazë të intervistës”, thuhet në raport.

Po ashtu një tjetër rast ka evidentuar raporti ku thotë se për konkursin për mësimdhënës të lëndës së edukatës fizike ku ishte mbajtur vetëm testi me shkrim por jo edhe intervista, për më tepër kandidati me vlerësim më të lartë nuk ishte zgjedhur.

Shmangia nga procedurat e rekrutimit sipas Auditorit ka për rrezik përzgjedhjen e drejtë dhe meritore të punonjësve duke u bazuar në konkurrencë të mirëfilltë.