Mësohet kur do të fillojë gjysmë-vjetori i dytë i mësimit në shkolla

Mësohet kur do të fillojë gjysmë-vjetori i dytë i mësimit në shkolla

Më 13 janar do të rinis mësimi në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës, ka njoftuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBAShK) të premten.

SBASHK ka thënë se këtë njoftim e ka bërë “pasi që këtyre ditëve në selinë e SBASHK-ut kemi marrë shumë telefonata nga individë, por edhe nga disa medie të nderuara e që kanë të bëjnë me gjysmëvjetorin e dytë, për të hequr shqetësimet e prindërve dhe për t’ua pamundësuar individëve të caktuar, që me apo pa dashje të shpërndajnë dezinformata”.

“Pra, më 13 janar do të rinis mësimi në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës dhe SBASHK-u pret që të përmbyllet në tërësi aktiviteti i nisur nga anëtarësia për mbledhjen e nënshkrimeve dhe dërgimin e kërkesave në Qeverinë e Kosovës dhe te institucioni i Avokatit të popullit me kërkesën që ata t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për revokimin e vendimit të masës së përkohshme për pezullimin e Ligjit të pagave”, ka thënë SBASHK.

Sipas SBASHK-ut, Këshilli Drejtues, kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të Universiteteve bashkë me kryesinë e SBASHK-ut urojnë që sa më parë të kemi institucionet e dala nga vota e 6 tetorit dhe të rinis dialogu për shumë çështje në arsim duke kujtuar se SBASHK-u vepron në bazë të zërit të punëtorëve në tërë arsimin e Kosovës dhe sa herë që anëtarësia vlerëson se dialogu nuk po jep rezultate të duhura, atëherë fillohet me veprime sindikale.