Mësuesi mbylli 31 njësha në një klasë – nxënësit e Ferizajt reagojnë ndaj tij

Mësuesi mbylli 31 njësha në një klasë – nxënësit e Ferizajt reagojnë ndaj tij

Janë disa ankesa që nxënësit e klasës XI-9 të Gjimnazit “Kuvendi i Arbrit” të Ferizajt i kanë bërë vetëm në muajin mars të këtij viti në sekretariatin e kësaj shkolle. Të gjitha kanë të bëjnë me sjelljen e profesorit Muharrem Beqa, i cili ligjëron lëndën e biologjisë. Ky i fundit klasës me 41 nxënës në periodën e parë i ka dhënë 31 njësha. Gjithë këtë punë, sipas nxënësve të klasës në fjalë, profesori e ka bërë në shenjë hakmarrjeje, pasi kanë pasur ankesa për të.

Mund të jetë profesori që mban numër rekord të vendosjes së notave të dobëta për nxënësit e tij. Për dy perioda të një viti shkollor profesori i Gjimnazit ‘Kuvendi i Arbrit’, Muharrem Beqa, ua ka vendosur nxënësve të klasës njëmbëdhjetë-nëntë plot 45 njësha, raporton Express.

Vetëm në periodën e parë të këtij viti shkollor, Beqa nxënësve të kësaj klase ua ka vendosur 31 njësha. Ndërkohë që në periodën e dytë ai në ditar, nga salla e profesorëve, nxënësve të kësaj klase ua ka mbyllur 14 njësha për lëndën e Biologjisë.

Por profesori, i Biologjisë, po insiston që nxënësit të mos i kalojë në lëndën që ai e ligjëron. Nxënësit e kësaj klase, kanë bërë disa ankesa në drejtorinë e këtij gjimnazi.

Nxënësit e klasës XI-9, duke mos dashur që të prezantohen në emër, kanë thënë se profesori po u hakmerret atyre.

“Profesori po na hakmerret që jemi ankuar për të dhe për një profesor tjetër. Kjo nuk është normale. Ne po dëshirojmë që të pyetemi nga ana e tij. Qoftë edhe me komision të pyetemi për lëndën përkatëse, por ai as që dëshiron të dëgjojë”, thotë një nxënës i kësaj klase.

E të drejtën për t’u pyetur e kishte kërkuar edhe një nxënëse tjetër e kësaj klase. Edhe atë profesori i Biologjisë e kishte refuzuar.

“Unë kam mësuar, kam qenë e rregullt në orët mësimore. Më ka dhënë notë negative. Nuk po e kuptojmë këtë sjellje të tijën”, ka thënë ajo.

Rreth kësaj çështjeje drejtues të gjimnazit “Kuvendi i Arbrit” të Ferizajt, thonë se do të hartojnë një komision për ta vlerësuar gjendjen dhe për t’i pyetur nxënësit.  Kështu ka thënë sekretari i Gjimnazit, Ilaz Sadiku.

“Lidhur me këtë çështje unë jam njoftuar nga nxënësit fillimisht ku kanë bërë ankesa. Janë nja katër ankesa që nxënësit e asaj klase i kanë bërë tek unë. Ata po thonë që profesori nuk po i pyet,  janë disa probleme që duhet shtjelluar më shumë. Tash kemi mbetur me e formua një komision”, thotë sekretari.

Tutje, ai deklaron se ankesat ndaj profesorit të Biologjisë së kësaj shkolle, kanë të bëjnë me sjelljet e tija, karshi nxënësve.

“Këto ankesat që nxënësit i kanë bërë thuhet se ata kanë dashur të pyeten në lëndën përkatëse, por profesori nuk i ka pyetur. Thuhet po ashtu se profesori u ka bërë pyetje jashtë shpjegimeve për lëndën të cilën ai e ka bërë paraprakisht. Nxënësit po kërkojnë komision që të pyeten për këtë lëndë”, shpjegon tutje ai.

Për profesorin në fjalë ka folur edhe zëvendës-drejtoresha në Gjimnazin “Kuvendi i Arbrit”, Dardane Beqiri. Ajo thotë se Beqa ka disa vite që punon në këtë gjimnaz si profesor i Biologjisë.

“Mehdi Rrustemi ka dhënë më herët Biologji në këtë klasë. Nxënësit vetë kanë kërkuar që ta largojmë Mehdiun. Ne kemi bërë ndërrim dhe aty ka shkuar profesori Muharrem. Ai i ka kompensua edhe orët që nxënësit e asaj klase kanë qenë në mungesë. Por ajo çështje është tejkaluar.  Mirëpo, për këtë problemin aktual mund të them se jemi në fazën e grumbullimit të informatave”, thotë zv/drejtoresha e kësaj shkolle.

E nxënësit e klasës në fjalë po thonë se profesori tash nuk po dëshiron që t’i pyesë për t’i larguar njëshat.

Profesori i apostrofuar, Muharrem Beqa, por ky i fundit nuk i është përgjigjur thirrjeve. Veç kësaj, ai të enjten nuk ka qenë në Gjimnaz. Beqa po refuzon krijimin e një komisioni i cili do t’i pyeste nxënësit e kësaj klase për t’i hequr njëshat.

“Ai (profesori), po insiston që të mos krijohet komisioni për t’i pyetur këta nxënës”, thotë sekretari i shkollës.

Ky nuk është rasti i parë që nxënësit e kësaj klase kanë pasur probleme me profesorët e tyre. Ata kohë më parë, për më shumë se dy muaj në fillim të periodës së parë të mësimit, e kishin bojkotuar orën e Biologjisë, si reagim ndaj sjelljes së vrazhdë dhe presionit psikik të ushtruar nga mësimdhënësi i lëndës Mejdi Musliu.

Në këtë mënyrë, nxënësit e kësaj paraleleje e kanë paraqitur këtë rast në Drejtorinë e shkollës, si dhe në polici. Për gjithë këtë punë nxënësit po thonë se profesori aktual i Biologjisë, Muharrem Beqa, po u hakmerret atyre për kolegun e tij Mehdi Musliun.