Mësuesi në Podujevë luan “Ludo” gjatë orës mësimore  – u thotë se anglishtja mësohet në kursin e tij

Mësuesi në Podujevë luan “Ludo” gjatë orës mësimore  – u thotë se anglishtja mësohet në kursin e tij

Valon Restelica gjatë orëve të mësimit në shkollën fillore “Ibrahim Rugova” në Podujevë kishte qenë mjaftë i zënë para se të përfundojë viti shkollor. Ai shihet në disa video mjaftë i koncentruar në telefonin e tij të mençur.

Prindërit e kësaj shkolle pretendojnë se mësimdhënësi kishte luajtur shpesh herë “Ludo” gjatë orëve të mësimit. Për veprimin e tij siç pretendojnë ata kanë dërguar disa video në Gazetën Online Insajderi.

Një prindër që nuk ka dashur të identifikohet ka thënë se mësimdhënësi në fjalë përveç se luan “Ludo” në telefon, ai po u kërkon që gjuhen angleze ta mësojnë në kursin e tij privat.

“Diku disa javë më parë janë bërë videot ku shihet duke luajtur. Nuk ka qenë vetëm ajo ditë por ka ndodhur në vazhdimsi. Si prindër po më shqetëson edhe fakti që mësuesi po u thotë se gjuha angleze mësohet në kursin e tij”.

“Po kërkon që fëmijët tanë t’i dërgojmë në kursin e tij, ndërsa gjatë orës nuk është i interesuar për nxënësit”, ka thënë një prindër që ka kërkuar të jetë anonim për shkak të frikës së mësuesi mund t’i hakmerret fëmijës së tij.


Por për gjithë këto akuza, mësuesi kishte përfunduar me vërejtje nga drejtori i shkollës “Ibrahim Rugova”. Rasti është konfirmuar nga Komuna e Podujevës për Gazetën Online Insadjeri.

Në një përgjigje me shkrim kjo komunë ka konfirmuar se prindërit ishin ankuar ndaj mësimdhënësit Restelica.

“Drejtoria e Shkollës Fillore “Ibrahim Rugova” në Podujevë më herët është informuar nga prindërit për rastin e përdorimit të telefonit celular në klasë nga mësimdhënësi Valon Restelica”.

“Drejtori i shkollës ka zhvilluar një bisedë dhe i ka tërhequr vërejtjen mësimdhënësit dhe pas këtij rasti nuk ka pasur ndonjë vërejtje nga nxënësit apo prindërit të kësaj natyre ndaj mësimdhënësit”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit për media nga Komuna e Podujevës, Nazmi Elezit nga Insajderi.

Ndërkohë që komuna thotë se deri më tani askush nuk është ankuar se mësuesi u ka kërkuar nxënësve që të shkojnë në kursin e tij privat.

“Ndërsa, drejtoria Komunale e Arsimit e as drejtoria e shkollës nuk kanë informacione, apo ndonjë ankesë nga prindërit, se mësimdhënësi në fjalë mban kurs privat të gjuhës angleze”.

“Kurse të ndryshme mësimore mund të organizojë vetëm institucionet e licencuara nga MASHT-i. Prandaj, në qoftë se do të paraqitet ndonjë rast i tillë do të ndërmerren masa konform ligjit në fuqi”, ka deklaruar komuna e Podujevës për Gazetën Online Insajderi.com