Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një konferencë për media pak minuta para se të mbyllen qendrat e votimit në tërë Shqipërinë, njofton Insajderi.
Derisa u pyet nëse do të dekretojë kryeministrin aktual, Edi Rama, pas 25 prillit nëse fiton një mandat të tretë, Meta tha se e rëndësishme është të fitojë Shqipëria.
“Për mua është e rëndësishme të fitojë Shqipëria. I ftoj të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e këtij qëllimi”, ka thënë ai.
Kreu i Shtetit zgjodhi sheshin e Flamurit në Vlorë për të përcjellë edhe mesazhin e fundit për pjesëmarrje në zgjedhje para se të mbyllet votimi.
“Vlora në një moment historik si ky do të thotë fjalën e saj dhe kam shumë besim te Vlora. Ky shesh është i gjithë shqiptarëve ndaj e zgjodha për të dhënë mesazhin e fundit për pjesëmarrjen”, ka thënë ai.
“Të gjithë duhet të jenë pjesë e kësaj historike. Të gjithë të nxitojnë të kryejnë këtë detyrim qytetar dhe patriotik. Si mund të mungojnë ata në një moment kaq historik të takimit të Shqipërisë me Europën”, u shpreh tutje ai. /Insajderi.com