Meta për Rugovën: Vizioni i tij për Kosovën mbetet shembull dhe frymëzim

Meta për Rugovën: Vizioni i tij për Kosovën mbetet shembull dhe frymëzim

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, në 15-vjetorin e vdekjes së tij, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Meta ka cituar disa fjalë të Rugovës, të cilat i kishte thënë për pavarësinë e vendit.

“Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE dhe në NATO, si dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA-në – Ibrahim Rugova”, shkruan Meta.

Ai thotë se vizioni i Rugovës për vendin mbetet shembull dhe frymëzim.

“Angazhimi i tij jetësor për zgjimin kombëtar, vizioni euroatlantik për Kosovën Republikë, për paqen, lirinë, stabilitetin, demokracinë dhe bashkëjetesën në rajon, mbeten shembuj të patundur frymëzimi për t’i shërbyer me përkushtim, dinjitet dhe krenari çështjes shqiptare. Ëndrra e presidentit Rugova vazhdon!”, përfundon ai. /Insajderi.com