Meta për Vuçiq: Mos provoko duke thënë se masakra e Reçakut ishte shpikje

Meta për Vuçiq: Mos provoko duke thënë se masakra e Reçakut ishte shpikje

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sonte në emisionin ‘Tempora”, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në Serbi, nismën e minishengenit Ballkanin dhe qasjen e Shqipërisë ndaj Serbisë, përcjell Gazeta Insajderi.

Ai ka thënë se e shqetëson fakti që sheh mijëra qytetarë serb që dalin para Ambasadës së Malit të Zi në Beograd duke kërcyer e duke sharë, se kush nuk kërcen është shqiptar.

“Pas ca ditësh dëgjojmë se ajo që ndodhi me ligjin me fetë në Mal të Zi mund të ndodhë dhe në Kosovë. Jam për marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet, përfshirë Serbinë mbi bazën e partneritetit dhe respektit”, është shprehur Meta.

Presidenti i Shqipërisë, po ashtu deklaroi se është e papranueshme që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të thotë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“ Nuk kemi pse ta vëmë në pozitë të vështirë Vuçiqin që t’i kërkojmë të dënojë masakrat dhe gjenocidin e Reçakut por të mos provojë dhe të thotë Reçaku ishte shpikje e Ambasadorit amerikan. Vjet në kohën që flitej për zgjidhje përfundimtare qoftë edhe me korrigjim të kufirit, presidenti i Serbisë deklaroi në Mitrovicë se Millosheviçi ishte udhëheqës i madh, kishte qëllime të mira pavarësisht se nuk i realizoi dot”, tha Meta./ Insajderi.com