Meta përqafon Haradinajn në Prishtinë, diskutojnë për proceset që po kalon Kosova

Meta përqafon Haradinajn në Prishtinë, diskutojnë për proceset që po kalon Kosova

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta pas një mbështetje që i dha kryeministrit në largim Ramush Haradinajt ditën kur ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pasi që siç njoftoi është i ftuar nga Gjykata Speciale, sonte ai është duke qëndruar në Prishtinë ku është takuar me të.

Këtë e ka bërë të ditur vet Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shkruan Gazeta Insajderi. Haradinaj ka postuar disa fotografi ku shihet duke e përqafuar Meta.

Haradinaj ka shkruar se me presidentin Meta kanë shkëmbyer mendime rreth aktualitetit politik në Kosovë.

“Kënaqësi e veçantë të takoj sonte në Prishtinë Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, bashkë me vajzën Borën. Rast i mirë për të këmbyer mendime rreth aktualitetit politik në Kosovë, Shqipëri dhe rajon. Në proceset që po kalon Kosova, angazhimi i përbashkët përballë sfidave e fuqizon faktorin shqiptar”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërsa të premten, ditën kur Haradinaj dha dorëheqje, Meta kishte shkruar se është krenar me të dhe se është i bindur në pafajësinë e tij.

“Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij! Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit!”, kishte shkruar Meta.

Ai kishte shtuar se “Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacënuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen evropiane”.

Haradinaj është ftuar të premten nga Gjykata Speciale si i dyshuar. Së bashku me të ftesa kanë marr edhe Bislim Zyrapi, Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi. /Insajderi.com