Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale e institucionet ndërkombëtare

Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale e institucionet ndërkombëtare

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për procesin e mini-shengenit për vendet ballkanike dhe mosinteresimin e Kosovës në lidhje me këtë nismë.

Meta ka deklaruar se Serbia duhet të ndalojë çdo fushatë kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale ose institucionet ndërkombëtare.

“Serbia duhet të ndalojë këtë fushatë kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale ose institucionet ndërkombëtare. Siç është edhe për shembull anëtarësimi në Interpol. Të gjithë në rajon janë të vetëdijshëm se krimi i organizuar është një nga problemet kryesore në të gjitha vendet tona dhe anëtarësimi i Kosovës në Interpol ndihmon bashkëpunimin, jo vetëm të Kosovës me Interpolin, por për të gjithë rajonin është një kontribut për të luftuar krimin e organizuar nga ky rajon”, ka thënë ai.

Meta gjithashtu ka shtuar se kur Kosova i ka vënë taksë mallrave serbe, nuk është pyetur mirëpo është shprehur kundër shtimit të barrierave në marrëdhënieve midis vendeve në rajon.

“Kur ata vendosën të vinin taksën nuk më pyetën, por unë nuk jam pro shtimit të barrierave në marrëdhëniet midis vendeve në rajon, sepse e ardhmja duhet të jetë bashkëpunim i hapur dhe pa kufij dhe pa pengesa.  Ne të gjithë synojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Ndaj shpresoj që Kosova të shqyrtojë sa më shpejt që të jetë e mundur mundësinë e përmirësimit të mëtejshëm të tregtisë dhe marrëdhënieve të përgjithshme, jo vetëm me Bosnjën, por edhe me Serbinë. Kjo do të ishte shumë e dobishme”, ka thënë ai.