“Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut Kosovë – Serbi, duke vlerësuar se tashmë është koha për arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke të të dy vendeve”.
Kështu ka deklaruar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pas takimit me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
“Kënaqësi të takoja në Prishtinë, Përfaqësuesin e Bashkimit Europian, për dialogun Kosovë – Serbi, z.Miroslav Lajçak. Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut Kosovë – Serbi, duke vlerësuar se tashmë është koha për arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke të të dy vendeve.
Së bashku vlerësuam rëndësinë e madhe të Procesit të Berlinit dhe gjithë iniciativave të tjera gjithëpërfshirëse për integrimin rajonal dhe europian të vendeve tona”, shkroi Meta.
Ndryshe, Lajçak të enjten ka zhvilluar një vizitë në Kosovë ku ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtid he zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Në takim me Kurtin, temë e diskutimit ishte dialogu dhe bisedimet e deritanishme ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Kurti dhe Lajçak, gjithashtu folën edhe për kohën, mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel./Insajderi.com