Meta uron Osmanin për 13 vjetorin e pavarësisë

Meta uron Osmanin për 13 vjetorin e pavarësisë

“Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme”.

Kështu është shprehur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një letër drejtuar presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmanit, për ndër të përvjetorit të 13 të pavarësisë së Kosovës.

I pari i Shqipërisë tha se “është e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre 13 viteve Pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e shtetit dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës”.

Meta shtoi se “Bashkëpunimi vëllazëror dhe Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, meriton të fuqizohet dhe konkretizohet në të gjitha fushat, në veçanti për t’ju dhënë një mundësi e perspektivë sa më të madhe të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurtë europiane, në vendet tona dhe për të ndalur shpopullimin. Shqipëria është e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën”, ka vazhduar tutje shkrimi i Metës.

“Përfitoj nga rasti, që në këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajonin tonë”, përfundon shkrimi i urimit të Metës. /Insajderi.com