Metanoia dhe Jokeri

Shkruan: Idro Seferi

Metanoia dhe Jokeri

Përse një film si “Joker” dhe si miliona njerëz u ndikuan në botë dhe në Ballkan. Përse njerëzit e pa-adresë identifikohen me një maniak total dhe përse në Ballkan sistemi ka arritur të transferohet aq shpesh dhe qytetarët janë transformuar aq shpesh, por pa rezultat? Mungesë qëllimesh dhe kur ato ekzistojnë janë jo reale dhe nuk kanë të bëjnë me ndërtimin e thelbit-shoqërisë së qëndrueshme dhe të drejtë ku, pavarësisht dallimeve, secili është i sigurt!

Euforia e filmit “Joker”, nuk është vetëm në Ballkan. Bota, për dallim prej nesh, megjithatë ka arritur disa standard jetësore dhe populizmi apo edhe idetë fatale politike janë rrjedhojë e mungesës së qëllimit, por edhe vijnë si një rezultat e hiperkonzumit të çdo gjëje që bota bashkëkohore e njeh. Kur nuk ka më atëherë bëhen eksperimente. Në Ballkan është paksa më ndryshe- gjithmonë bëhen eksperimente dhe asnjëherë nuk ka patur një produkt përfundimtar- shoqëri.

Ashtu siç u bë edhe me “Game of Thrones”, që dëshpërimi për fundin e papritur nxiti botën, filmi “Joker”, e ka prekur botën në një pikë të dobët- në mllef dhe në idenë se sa psikopat i ka bërë sistemi, mungesa e komunikimit, kontakteve normale dhe mbi të gjitha kujdesi. Sëmundjet psikike nuk janë si ataku kardiak, por kryesisht japin simptome. Kam lexuar shumë vlerësime pro-et-contra për filmin “Joker”, i cili nisë një lloj dëshire për hakmarrje publike ndaj sistemit. Personalisht, mendoj se është film interesant, por nuk jam fans i euforive dhe natyrisht kam refuzuar ta shikoj filmin “La-La Land”. Por, tek “Joker”, i cili sigurisht i nominuar për Oskar, mund të triumfoj shumë, shoh vetëm këtë pjesë: nevojën e qytetarëve që dikush tha mjaft. Shumë mendojnë se bota është në fakt një bombë potenciale sociale. Por, në Ballkan kjo bombë ka qenë e kontrolluar dhe në vend të kërkesave për jetë-qytetarët kanë dalë me flamuj për të mbrojtur “interesat kombëtare” të disa individëve.

Në një protestë të zakonshme, një kolegë më afrohet dhe më thotë: “deri kur kështu Idro. Kam 30 vjet që ndjek budallallëqe”. Në këtë deklaratë të një kolegu të nderuar serb që punon për një agjenci botërore lajmesh i reagoj me një pyetje: “sa vjeç je ti?”.Ai përgjigjet se është mbi 50 vjeç. Në këtë i përgjigjem: “mos u qajë sepse ti paske patur të paktën 20 vjet të mira”. Ka nga ata që e kanë lënë gazetarinë si profesion pikërisht për shkak të nivelit të stresit, mërzitjes, përsëritjes dhe lodhjes nga figurat e njëjta që beson se nuk kthehen më. Dikur kam qenë pak më optimist për mundësinë e ndryshimit. Tranzicioni duket si një gjë e lodhshme dhe e mërzitshme. Gjithçka në kohë ka ndryshuar dhe është transformuar, por sikur para zbulimit të një anti-virusi që diçka vepron, shndërrohet, ndonjëherë virusi imunizohet edhe më shumë për shkak të fuqisë për të krijuar vetëmbrojtje.

Viti iri shkoj dhe disi si në ëndërr arriti viti i largët 2020. Në Ballkan, natyrisht ai filloi ndryshe dhe me konfuzitetet e zakonshme dhe si për çudi sa herë ndodh diçka e lodhshme qytetarët çuditën sikur të mos e kishin përjetuar kurrë tradhtinë publike të atyre prej të cilëve presin diçka. Kështu disi shkoj edhe konflikti Serbi-Mali i Zi dhe në skenën ballkanike të konflikteve u shtua edhe një incident. Kroatët u gëzuan paksa pasi në garën presidenciale humbi, Kolinda Grabar-Kitarovic dhe partia HDZ.Grabar-Kitarovic kishte qenë një shpresë si një femër që njihte vlerat perëndimore, të paktën derisa nuk e mësoj skemën programore të politikës ballkanike nën flamurin e BE-së. Edhe pak dhe do të çuditej secili me deklarimet e saj. Në Bosnje asgjë e re nuk ka ndodhur përveç dhunës ndaj emigrantëve në kufirin me Kroacinë, e cila mohon të ketë rrahur refugjatët, tua kenë thyer ndonjë gjymtyrë, ekranet e celularëve dhe t’ua kenë marrë paratë, pavarësisht videove në të cilat ndonjëherë kjo edhe dukej.

Në Serbi u konfirmua se për herë të parë në histori kishte më pak se 7 milionë banorë.Beogradi, bashkë me disa qytete si Sarajeva, Prishtina u gjendën në top lista të vendeve të ndotura e deri tek sugjerimet që të mos dilet jashtë pa nevojë. Siç tha një satirist “ngrohja globale – po të mbërdhika”.

Këtë javë u mundova thellësisht të evokuoj disa kujtime nga pavarësia e Malit të Zi pasi në atë kohë (2006), kisha patur fatin të shkoj në Podgoricë dhe të raportoj në një tekst se si dukej tani ky shtet. Por, e lash. Mendova të shkruaj diçka për zgjedhjet, mini-schengenin ballkanik apo për disa mundësi të tjera politike, pastaj ndërrova mendje a të shkruaj diçka për Edi Ramën, apo “origjinë politikë” të zgjedhjeve në Kosovë, për Agimin, Luten apo për Albinin, Isën apo dikën tjetër?! Ndoshta megjithatë dicka për Hashimin? Jo, varja! Shumica e vendeve do të kenë zgjedhje këtë vit, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja disa zgjedhje lokale, por edhe në Maqedoni votuesit do të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre. Por, shpesh diskutimi është në analiza të një problemi lokal, një politikani apo një partie politike. Gjërat kanë ndryshuar në Ballkan dhe janë transformuar nga një gjendje amorfe në një tjetër, por jo në gjendjen e duhur dhe përfundimtare. Në formën e tyre. E si është forma e shoqërive në Ballkan dhe a janë problemet ndër fqinjësore problemi i vetëm për qytetarët apo megjithatë ka këtu një ngecje politike që megjithatë lidhet me figura arkaike të qeverisjes?

Shpesh kam shkruar që secili komb në Ballkan I ka nga dy popuj që etnikisht mund të jenë pjesë e një kombi, por parimisht nuk kanë shumë lidhje mes veti. Shembull kemi ata që e urrejnë korrupsionin dhe ata që e duan atë, ata që e urrejnë faktin që shërbimet civile nuk janë të barabarta për të gjithë dhe ata që e kanë gjetur vetën në mundësitë e shfrytëzimit të tyre. Por, a janë gjysma hajdut në pushtet dhe gjysma tjetër hajdut që presin të ngjiten në pushtet?!Kjo është një çështje që shqetëson. Duhet të duhemi apo thjesht t’ia kemi besën njëri-tjetrit? Ballkanasit vërtetë kanë 30 vjet që jetojnë në gërmadha politike dhe të turpëruar nëpër botë me ministra që as gjuhën e vet shpesh nuk e dinë e lere më gjuhë të huaja. Krenohemi vetëm me diasporën që arrin suksese dhe ata edhe i shajmë. Por, përse të njëjtit njerëz janë jashtë të suksesshëm, sigurisht nuk kanë sistem arsimor transofrmues nga një gjendje agregate në një tjetër, por sistem zhvillimor që mendon më gjatë se disa minuta. Natyrisht se politika është kthyer në një prej sistemeve më të ndyra në botë pikërisht për shkak se si profesion do të duhej të shërbente në administrimin e qytetarëve dhe ofrimin e mundësive aty ka ata nuk kanë sukses personal. Shteti është një sistem që ndihmon ata që nuk kanë shpirt luftarak për të gjetur vendin që duan. Por, tek ballkanasit rasti është tjetër dhe çdo sukses individual është aksidental dhe si rrjedhojë e forcave dhe stresit të shkaktuar ndër vite. Përse sistemi nuk mund të ndihmoj? Hijenat dhe “spin doktorët” ekzistojnë në çdo fushë dhe përpara “e kanë fshi” ata që çdo qëllim të tyre e kanë vetëm deklarativ dhe shërbehen me nacionalizma për tu dhënë arsye qytetarëve që dikush tjetër e paska fajin për jetën e tyre të vështirë.

Natyrisht se politika bëhet me interesa, por në skenë janë disa njerëz si gangrenë popullore dhe vështirë se diçka do të ndryshoj shpejt. Ku arrin kjo masë dhe si? Diku me shantazhe dhe diku për shkak të euforisë dhe vetëdijes së ulët qytetare që ende vrapon pas simboleve dhe rrah gjoks pa lekë për liderët politik, të cilët në një debat të barabartë do ti mundte secili. Shpesh e shoh që kur politikanët bëjnë ndonjë batutë të gjithë qeshin dhe ngazëllehen sikur ta kenë kuptuar që ky person nuk qenka robot.

Ne e dimë të vërtetën shumica, por problemi është që faktet i ruan dikush tjetër. Për një jetë më të kuptimtë këtu është shumë i domosdoshëm ndryshimi në koka pasi shoqëria civile dhe ata që kemi besuar se kanë qëllim, kanë treguar të kundërtën. Njeriun e vetëdijshëm nuk mund ta mashtrosh qindra herë. Metanoia, kryesisht si shprehje përdoret tek të krishterët në aspektin e pendimit të thellë, por kuptimi i fjalës vjen nga greqishtja dhe do të thotë- pas vetëdijes dhe që nënkupton një lloj konvertimi total të zemrës, shpirtit dhe mendjes. Ndryshimi, në aspektin më filozofik, parashihet jo vetëm si vendim, kërkim falje, por edhe nga mënyra e ndryshimit që çon drejt një riorientimi. Ajo që politika në Ballkan dhe tranzicioni kanë bërë është ndryshimi I jetës në drejtim të panjohur. Reforma apo transformimi është një proces që ka një qëllim të ditur. Nëse shtrohet pyetja sa vjet nga jeta juaj i mbani mend si normale dhe sa prej proceseve dhe vuajtjeve të ballkanasve janë dëme kolaterale dhe jo pamundësi reale? Metanoia në Ballkan është një gjë e domosdoshme.