Ministria e Infrastrukturës ka treguar lidhur me rrugët të cilat janë bllokuar nga vërshimet në territorin e Kosovës, njofton Insajderi.
Nga ky dikaster thuhet se disa rrugë të tjera pas ndërhyrjeve të ekipeve emergjente janë liruar për qarkullim.
“Ministria e Infrastrukturës njofton se në rrugën Prishtinë-Pejë, N9 te “Kroni i Mbretit” është bllokuar rruga për shkak të ujërave, mirëpo është intervenuar dhe është zhbllokuar nga kompanitë mirëmbajtjes dhe policia është në vend ngjarje”, thuhet në njoftimin e MI-së.
“Në regjionin e Gjilanit 2, rruga R 124 drejtimi Kamenicë-Strezovc është e bllokuar për shkak të dëmtimit të urës nga vërshimet e ujit. Në pjesën dalëse te auto-udhës R7 (Ibrahim Rugova), në Mazgit që e lidhet me rrugën nacionale N2 kemi plasaritje (deformim) të rrugës, është sinjalizuar ajo pjesë e rrugës dhe po kujdeset kompania e mirëmbajtjes që komunikacioni të lehtësohet. Në pjesën Gjilani 1, gjendja e rrugëve është e mirë, ka pasur të reshura të shiut, dhe si pasojë dhe ka pasur erodime të gurëve, është intervenuar në largimin e tyre në të gjitha drejtimet. Ka vështirësi gjatë qarkullimit të automjeteve, por me kujdes të shtuar mund të kalohet”.
“Në pjesën Ferizaji 1, rruga Brezovicë – Sharr ka dy pengesa të cilat është intervenuar nga ekipet e mirëmbajtjes. Punimet që janë zhvilluar dhe vazhdojnë në vendosjen e disa gypave për ndërtimin e një hidrocentrali përgjatë kësaj rruge, në këtë viti (2020), kanë bërë që të ngushtohet trupi i rrugës, parkingjet që kanë qenë janë dëmtuar, mirëpo rruga është e kalueshme me kujdes të shtuar. Në pjesën Gjilani 2, në disa pjesë për shkak të reshjeve të shiut ka erodime dhe rrëshqitje të dheut (Rr.Shpashnice e Eperme -Desivojce Kilometri 55-60), por që është intervenuar”.
“Në regjionin Peja 1, ka pasur reshje të borës, po ashtu ka edhe reshje të shiut me akull. Vazhdimisht është bërë largimi i borës dhe shpërndarja e kripës. Të gjitha rrugët janë të kalueshme. Për shkak të reshjeve të shiut dhe shkrirjes së borë në rrugën N2 Prishtinë-QMI, afër rreth rrotullimit në QMI ka grumbullim të ujit në shtresa qarkulluese si pasoj e nivelimit te pronave përreth rrugës. Ne me ekipet tona ne asistim me Policinë e Kosovës, si masë preventive kemi bërë mbylljen e qarkullimit në këtë segment rrugor nga rreth rrotullimi mbi hekurudhë deri në rreth rrotullim të QMI-së. Po ashtu kemi bërë hapjen e një kanali nëpër prona private në mënyrë që të vijë deri te largimi i ujit nga shtresat qarkulluese po largimi i ujit po vazhdon me një intensitet të vogël pasi që ka grumbullim të ujit edhe në pronat rreth rrugës”.
“Është bërë largimi i materialit të eroduar nga shtresat qarkulluese në rrugët : Veterrnik-Llabjan, Shtime-Carraleve, Prishtinë-Mutivodë dhe Komoran-Carralevë. Në rrugën Ferizaj-Gjilan, konkretisht në Sojevë, ka vërshime shkaku i të reshurave, mirëpo kompania e mirëmbajtjes dhe Policia e Kosovës po kujdesen që t’i orientojnë shoferët në rrugë alternative. Ministria e Infrastrukturës lut të gjithë qytetarët që të jenë të vëmendshëm dhe t’iu përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes. Reshjet e shiut kanë bërë që të ketë vërshime në shumë rrugë, por po punohet që qarkullimi të jetë normal”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës. /Insajderi.com