Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka folur për rastin e Manastirit të Deçanit dhe futjes së tij si monument në rrezik dhe se çfarë duhet të bënin institucionet e Kosovës për këtë, njofton Insajderi.
Miftaraj ka thënë se Kosova në tri vitet e fundit nuk ka pasur fare diplomaci teksa nga ana tjetër Serbia ka jashtëzakonisht diplomaci aktive, çka ka shkaktuar që shumë procese të mos përfundonin aq mirë për Kosovën.
“Në 10 vjet e fundit pothuajse nuk është fare lajm që kemi probleme ndëretnike në Kosovë dhe në raport me kishën ortodokse në Deçan. Duhet të pranojmë që në tri vitet e fundit Kosova nuk ka pasur fare diplomaci. Është e vërtetë që ka ambasada, por fatkeqësisht truri, MPJ-ja, që duhet t’i kundërvihet palës serbe si në rastin me Manastirin, nuk është që jemi aktivë. Në anën tjetër Serbia ka një diplomaci jashtëzakonisht aktive”, tha ai në Deskun e KTV-së.
Sipas Miftarajt, Serbia me diplomacinë e saj disa vjeçare është munduar për vite të krijoj destruktivitet jo vetëm në Kosovë por edhe për shtetet e tjera, gjë që ka vështirësuar diplomacinë, në këtë rast të Kosovës, që të jetë aktive.
“Serbia ka një histori shumë më të gjatë të diplomacisë, shtet që në raport për të krijuar destruktivitet, e ka specialitet të gjejë kësi forume, mënyra që qoftë Kosovën apo shtetësinë e Kosovës ta cenojë përmes iniciativave të tilla”./Insajderi.com